Autoritetet e rendit në Kosovë kanë arrestuar të shtunën pasdite ish kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke vënë në zbatim fletarrestin e lëshuar kundër tij, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Arrestimi i zotit Kurti është bërë pasi njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë hyrë në selinë e Lëvizjes VV në Prishtinë.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka thënë se ka qenë "e detyruar të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për sigurimin e lokacionit dhe ndalimit të personave të kërkuar".
"Bazuar në dyshimet e bazuara se personi i kërkuar me Urdhër Arrest (z.Kurti) dhe persona të tjerë gjendet brenda në objektin e selisë së Vetëvendosjes, njësitet relevante policore në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent janë detyruar të veprojnë brenda në objekt për të realizuar dhe zbatuar Urdhër Arrestet", thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë.
Zoti Kurti gjatë ditës kishte mbajtur një fjalim para disa mijëra protestuesve në qendër të Prishtinës, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Lëvizja Vetëvendosje pohon se mbi 100 aktivistë janë arrestuar nga forcat e rendit. Ndërkaq, bazuar në informatat e Policisë së Kosovës, 95 persona janë shoqëruar për në stacionet policore, për intervistime dhe procedura të mëtutjeshme.
Ndryshe, marrëveshjet e kontestuara nga opozita, kryesisht ajo për Asociacionin, e cila është arritur më 25 gusht me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shihen si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.
Në këtë kuadër, subjektet politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Adhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë zotuar se do të bllokojnë punimet në Kuvendin e Kosovës, deri në shfuqizimin e marrëveshjeve të arritura.