Ndërlidhjet

Bllokadë në Kuvendin e Kosovës


Pamje nga sulmi me vezë nga opozita, Kuvendi i Kosovës, 22 shtator 2015
Pamje nga sulmi me vezë nga opozita, Kuvendi i Kosovës, 22 shtator 2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka shpallur të ndërprerë seancën e Kuvendit, deri në krijimin e rrethanave për punë.

Kjo seancë, në të cilën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ishte planifikuar të raportonte për marrëveshjet e arritura në Bruksel me Beogradin, është ndërprerë në disa raste.

Pamundësimi i vazhdimit të punimeve ishte edhe fizik, pasi që deputetët e opozitës qëndronin në këmbë tek foltorja duke mos lejuar që kryeministri Mustafa të merrte fjalën.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri më herët kishte thënë se seanca nuk mund të vazhdojë përderisa kryeministri të mos e tërheqë nënshkrimin për formimin e "Zajednicës" (Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe).

Marrëveshja për themelimin e këtij Asociacioni u arrit në Bruksel, më 25 gusht, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Në këso rrethana, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli shpalli gjatë ditës disa pauza dhe ftoi shefat e grupeve parlamentare të diskutojnë për tejkalimin e gjendjes.

Ndërprerja e parë ndodhi kur disa nga deputetët e opozitës, hodhën vezë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Lëvizja Vetëvendosje, në një postim të sajin në rrjetin social Facebook, ka thënë se me këtë veprim, "ia kanë ndalë gënjeshtrën Isa Mustafës, përmes së cilës ai synonte që edhe njëherë t'i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit. Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm".


Ndërkohë që deputetë të opozitës hidhnin vezë në drejtim të kryeministrit Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka cilësuar këtë veprim si të turpshëm.

Institucionet më të larta të vendit, përfshirë këtu edhe Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, kanë dënuar aktin e opozitës ndaj kryeministrit Mustafa.


E njëjta seancë, ku kryeministrit i Kosovës është dashur të raportonte për marrëveshjet e Brukselit, është ndërprerë edhe të enjten e kaluar, pasi zoti Mustafa kryeministri Isa Mustafa hoqi dorë nga raportimi i paralajmëruar.

Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

Marrëveshja është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes, serbët në Kosovë do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

VV e konsideron marrëveshjen si shkelje të sovranitetit dhe ndarjen të Kosovës. Të njejtin mendim e ndajnë edhe dy partitë tjera në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG