Ndërlidhjet

Mbetjet mortore të 28 personave u kthehen familjarëve


Dorëzohen mbetjet mortore të 28 personave të zhdukur
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:11 0:00

Dorëzohen mbetjet mortore të 28 personave të zhdukur

Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, familjarëve u janë dorëzuar mbetjet mortoret të 28 personave të gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Që të gjithë thuhet se janë nga fshati Rrezallë i Skënderajt.

Mbetjet mortore janë gjetur vitin e kaluar dhe sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, rivarrimi i tyre do të bëhet më 5 prill, në ditën kur thuhet se këta persona janë masakruar nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Familjarët të cilët pranuan mbetjet mortore, kanë treguar se më 5 prill të vitit 1999, forcat serbe kishin rrethuar shtëpitë dhe kishin pushkatuar burra e djem të rinj.

Bedrije Hoti, nga fshati Morinë, komuna e Skënderajt, që ishte njoftuar për gjetjet mortore të babait dhe vëllait të saj, tha se për 16 vjet kanë vuajtur për të ditur lidhur me fatin e të afërmeve të tyre.

“Kjo është shumë e rëndë për ne, nuk e di a mund ta besoni apo mund ta besojnë vetëm ata që e kanë provuar diçka të tillë. Sot na i dorëzuan babën, Ukë Hoti dhe vëllanë, Përparim Hoti. Vëllanë e kemi pasur pas gjashtë motrave...i ka pasur 16 vjet dhe e kanë marrë forcat serbe në Rrezallë”, tha Hoti.

Familjarët janë njoftuar nga drejtuesit e Departamentit të Mjekësisë Ligjore edhe me artefaktet e gjetura të atyre personave, gjësende për të cilat familjarët janë pajtuar që t'i lënë në përkujdesje institucionale.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, tha se javën e ardhshme do të bëhet edhe dorëzimi i disa mbetjeve të tjera mortore që i përkasin Komunës së Drenasit.

“Janë disa raste të tjera, që jemi në kompletim e sipër. Kemi raste të cilat janë në gjysmë të procesit. Të gjitha këto raste është dashur të presin deri te mostra e fundit. Javën tjetër do t’i dorëzojmë mbetjet mortore edhe për komunën e Drenasit”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se puna për kërkimin e personave të zhdukur në Rudnicë dhe në rrethinë të saj, nuk ka përfunduar.

“Ky nuk është përfundimi i punës sonë, sepse nga grupet e zhdukura në këtë trevë, mungojnë ende njerëz, pra ata duhet të jenë diku dhe ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë. Ne i kemi të identifikuara edhe dy lokacione të tjera të cilat së shpejti do t’i hapim në afërsi të Rashkës dhe Novi-Pazarit”, tha Gërxhaliu.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur nga Qeveria e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se në drejtim të zbardhjes se fatit të personave të pagjetur, si komision, po përballen me një bashkëpunim jo të duhur me institucionet përgjegjëse të Serbisë.

“Ne vazhdojmë jo vetëm të dyshojmë, por jemi të bindur se ka varreza masive në Serbi. Prandaj, kemi kërkuar vazhdimisht që mbi autoritetet dhe institucionet serbe të bëhet një presion, një trysni, që të tregojnë për vendndodhjen e varrezave masive”, tha Gjetaj.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi në fund të muajit janar ka thënë se posedon dokumente, të cilat tregojnë se shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, është drejtpërdrejt përgjegjës për krime lufte në Kosovë.

Drejtoresha ekzekutive e Fondit, Sandra Orloviq, ka thënë se posedon dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ka qenë shefi i tanishëm i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq.

Dikoviq ka mohuar përfshirjen e tij në këto krime lufte në Kosovë.

Varreza masive në Rudnicë është zbuluar në dhjetor të vitit 2013. Nga kjo varrezë janë nxjerrë mbetjet mortore të 53 personave.

Në nivel të Kosovës, konsiderohet se ende mbesin të pagjetur edhe 1653 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG