Trajtimi i çështjes së zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, duhet të bëhet përmes një plani të përbashkët veprimi.
Ky është përfundimi që është nxjerrë nga takimi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.
Kryetari i këtij komisioni Prenk Gjetaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se faktorët relevantë që janë pjesë e këtij Komisioni janë pajtuar që për vitin 2015 të veprohet me plan të koordinuar me të gjithë partnerët vendorë e ndërkombëtarë dhe zbardhja e fatit të pagjeturve të trajtohet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.
“Mos të dalim të shkapërderdhur, me plane të veçanta. Ai duhet të jetë plan i veprimit i dakorduar. Në veçanti është theksuar se çështja e dialogut me palën serbe, që është i domosdoshëm për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, duhet të ngrihet në nivel të bisedimeve me palën serbe”, thotë Gjetaj.
Gjatë këtij viti, janë bërë një varg gërmimesh në lokacione të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë, për gjetjen e varrezave masive të dyshuara.
Puna kryesore ishte përqendruar në Rudnicë, në rajonin e Rashkës në Serbi. Gërmimet aty, patën rezultuar me gjetjen e varrezës masive.
Deri më tash, nga kjo varrezë masive janë identifikuar mbetjet mortore të 53 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, kryesisht nga rajoni i Drenicës.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, i cili ka qenë drejtues i grupit të ekspertëve ligjor nga Kosova që kanë marrë pjesë në gërmimet në Rudnicë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rudnica nuk është vendi i vetëm ku është gërmuar.
“Së fundmi, pas Rudnicës, për shembull, është kontrolluar edhe informata për Batajnicën, e cila ka rezultuar negativisht. Javën që shkoi është gërmuar edhe në Petrovo Selo. Për dy ditë rresht është punuar dhe ai lokacion, po ashtu, ka rezultuar negativisht, pasi që informatat jo gjithmonë po na dalin të sakta”, bën të ditur Gërxhaliu.
Megjithatë, familjarët e personave të pagjetur, në vazhdimësi kanë theksuar se me gjithë punën që është bërë deri më tash për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre të zhdukur gjatë luftës, nuk është bërë mjaft.
Ata patën kërkuar të shtohet trysnia e faktorëve ndërkombëtarë mbi autoritetet e Beogradit, për të dhënë informacione lidhur me lokacionet e varrezave të mundshme masive.
Prenk Gjetaj thotë se familjarët e personave të pagjetur kanë të drejtë të jenë të pakënaqur edhe pse ekipet nga Kosova kanë bërë gjithë çka ka qenë në mundësinë e tyre.
“Në këtë drejtim. Mund të them se nuk mund të krenohemi se kemi arritje, për arsye se, përderisa kemi ende 1 mijë e 650 persona që evidentohen si të zhdukur, nuk mund të themi se është kryer puna, sepse 1 mijë 600 e më shumë familje janë në ankth, ata presin”, thotë ai.
Gjetaj ka shtuar se mbetet obligim i strukturës së re udhëheqëse në nivel të Kosovës, që çështjen e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur ta kenë prioritet.
Ndryshe, në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ende ka mbetje mortore të personave që janë gjetur ne varreza masive ose që janë zhvarrosur për t'u verifikuar sërish saktësia e identitetit.
Zoti Gërxhaliu ka theksuar se tashmë janë duke e verifikuar edhe mbetjet mortore të cilat janë zhvarrosur nga varreza në Çabrat të Gjakovës për tu verifikuar identiteti i tyre.
Zyrtarët e Komisonit qeveritar për të pagjeturit, kanë ritheksuar gjithashtu se ka informacione edhe për varreza të tjera masive të dyshuar në Serbi, duke përmendur rajonin e Novi Pazarit.