Ndërlidhjet

Të pagjeturit - alarm për ndërgjegje


Sheshi “Nëna Terezë”, 30 gusht 2014.
Sheshi “Nëna Terezë”, 30 gusht 2014.

Dita Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, e cila po shënohet të shtunën edhe në Kosovë, e gjen vendin me 1 mijë e 675 persona të pagjetur, fati i të cilëve ende nuk është ndriçuar, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, tash e 15 vjet.

Aktiviteti qendror për shënimin e kësaj dite është zhvilluar në Drenas, ku përfaqësues të institucioneve të vendit, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe dhe nderime për 16 viktimat me përkatësi shqiptare, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi, dhe që rreth një javë më parë u janë dorëzuar fillimisht autoriteteve në Kosovë, e më pas edhe familjarëve.

Haki Kasumi nga Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se simbolika dhe qëllimi i mbajtjes së aktiviteti qendror në Drenas, përkon me faktin se ky rajon ka qenë ndër më të goditurit gjatë luftës.

“Nga gjetjet e fundit në varrezën masive në Serbi, në Rudnicë të Rashkës, janë gjetur një numër i madh i familjarëve të këtij regjioni dhe kemi dashur , simbolikisht, t’u tregojmë familjarëve të tyre, të këtij regjioni, se nuk janë vetëm. Kanë Komisionin qeveritar, kanë aktivistët e Këshillit dhe kanë një pjesë të madhe të opinionit me vete”.

“Prej këtu, do të reflektojmë në bashkësinë ndërkombëtare dhe në botë, se vërtet, kjo pjesë dhe Kosova në përgjithësi, është prekur dhe e goditur nga zhdukja e dhunshme e njerëzve, që e kanë shkaktuar forcat e armatosura të regjimit kriminal të Slobodan Milosheviqit dhe të Serbisë”, thotë Kasumi.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, thotë për Radion Evropa e Lirë se, gjatë muajve të fundit ka pasur mjaft përpjekje për dinamizmin e procesit të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Ai thotë se pas zbulimit të varrezës masive në Rudnicë, mbetet që të zbulohen edhe varrezat tjera, për të cilat ka dyshime se ekzistojnë në territorin e Serbisë.

“Kemi dyshime se në territorin e Serbisë ka shumë hapësira ku janë varrezat masive klandestine. Prandaj, pritet që pala e Beogradit, gjegjësisht Serbia, të tregojë për vendndodhjen e atyre varrezave dhe të bashkëpunojë për hapjen e atyre varrezave, sepse, adresë për të ditur për fatin e personave të pagjetur është Serbia dhe autoritetet serbe”.

“Prandaj, ne kemi menduar dhe mendojmë se duhet të bëhet një trysni politike mbi palën serbe, që ta detyrojë Serbinë apo ta obligojë atë, që të bashkëpunojë në këtë drejtim”, shprehet Gjetaj.

Ai thekson se pa presionin ndërkombëtar mbi Serbinë, nuk do të ishin zbuluar as ato varreza masive, të cilat deri më tash janë zbuluar në këtë vend, përfshirë edhe rastin e Rudnicës.

Në anën tjetër, një aktivitet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur është mbajtur edhe në Prishtinë, e organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë.

Në sheshin “Nëna Terezë”, në kryeqytet, janë vendosur një numër i madh i orëve të kurdisura, të cilat kishin formuar një pikëpyetje të madhe dhe numrin 1 mijë e 709, duke aluduar në numrin e të pagjeturve, përfshirë këtu edhe personat e gjetur, por që ende nuk janë identifikuar.

Alarmi i këtyre orëve ka rënë në orën 12, ndërkaq, Edona Tola, përfaqësuese e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka shpjeguar simbolikën:

“Kemi vendosur që t’i rendisim orët dhe kjo të bëhet në formë të pikëpyetjes dhe i kemi kurdisur që të gjitha të bëjnë zile në orën 12, në mënyrë që, më në fund, aktorët përgjegjës për fatin e personave të pagjetur, të zgjohen nga gjumi dhe të kenë një përgjigje për të gjithë ne që duam të dimë për fatin e këtyre personave”.

Ndryshe, në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur, përfaqësuesit e institucioneve të vendit, të familjarëve të të pagjeturve dhe qytetarët, u kanë bërë thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të ushtrojnë presion mbi Serbinë, që të japë të dhëna për varrezat e mundshme masive, si dhe të mundësojë ndriçimin e fatit të atyre që tash e 15 vjet konsiderohen të pagjetur.

XS
SM
MD
LG