Nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje PDK-LDK
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zyrtarizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje. Liderët e këtyre dy partive, Hashim Thaçi (PDK) dhe Isa Mustafa (LDK), janë paraqitur para mediave duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes.
Por, ata nuk kanë dhënë asnjë detaj në lidhje me ndarjen e posteve dhe përgjegjësive.
Mediat kanë raportuar se kryetari i LDK-së, Mustafa është nominuar si kandidat i kësaj partie dhe PDK-së, për të qenë kryeministër i Kosovës.
Kurse kryeministri i deritashëm i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes thuhet se do të emërohet në pozitën e zëvendskryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Kosovës.
Petrit Selimi nga Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar në rrjetin social Twitter se kryeministër do të jetë Isa Mustafa, kurse Hashim Thaçi do të jetë zëvendës kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme.
#Kosovo's new PM will be Isa Mustafa. Hashim Thaçi will be Deputy PM and new Foreign Minister.
— Petrit Selimi (@Petrit) December 8, 2014
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, pritet që në orën 12:00 të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku do të zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni, si edhe pesë nënkryetarët.
Më pas, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pritet të mandatojë Isa Mustafën për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.
Në bazë të këtij mandati, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë qeverinë e re të Kosovës.
Jahjaga takon Thaçin dhe Mustafën
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar gjatë ditës së sotme kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe atë të LDK-së, Isa Mustafa, pas përmbylljes së marrëveshjes që bënë dy partitë për bashkë-qeverisje.
“Ata theksuan se marrëveshja ndërmjet tyre do të përmbushë edhe kriteret e përcaktuara kushtetuese dhe shoqërore për institucione përfshirëse e të përgjegjshme”, thuhet në komunikatën e publikuar nga kabineti i presidentes.
Zonja Jahjaga ka thënë gjithashtu se do të jetë në funksion të garantimit të funksionimit demokratik të institucioneve dhe në zbatim të plotë të Kushtetutës e të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.