Kurti: Ditë e zezë për Kosovën
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi koalicionin PDK-LDK. Ai tha se edhe pse pa institucione, Kosova deri tash ka qenë në një krizë të butë, e cila pas këtij koalicioni është thelluar.
“Kjo është dita më e zezë për Kosovën sepse në njërën anë kreu i SHIK-ut u bë kryeparlamentar dhe dy parti që po rrudhen u bënë bashkë për të qeverisur”, tha Kurti.
“Në një takim që kishim me Isa Mustafën, pati thënë as UDB-ja nuk është më e keqe se SHIK-u, ndërsa tash po do të bëhet kryeministër me koalicion me anëtarët e SHIK-ut”, shtoi Kurti.
Gjatë fjalimit të liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, tri paritë opozitare në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, lëshuan sallën e Kuvendit.
Limaj i befasuar me Thaçin
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, duke folur në Kuvendin e Kosovës tha se pa marrë parasysh që ky koalicion i ka numrat, nuk do të thotë se ka çdo gjë.
Ai i bëri thirrje koalicionit PDK - LDK që të ketë kujdes me fuqinë që e ka.
Limaj shprehu befasinë e tij, duke thënë se një ndërrim të tillë të pozitave nuk e kishte pritur.
"Të gjitha i kam pritur, por jo edhe që Hashim Thaçi të hiqte dorë nga kryeministria e këtë t'ia falte profës", tha Limaj.