Ndërlidhjet

Live Blog: Krijimi i institucioneve të Kosovës

- Gjashtë muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kosova pritet të bëhet me institucione.

- Këto institucione do të formohen në bazë të një marrëveshjeje të arritur për bashkë-qeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

18:26 8.12.2014

Kadaj - Bujupi: Koalicion i komunistëve dhe nëntokës

Me një retorikë të ashpër është prezantuar edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj - Bujupi.

Sipas saj, ky koalicion është i panatyrshëm dhe njësoj do të jetë edhe qeverisja që do t'u premtojë qytetarëve të Kosovës.

"Sot Kosova ka në krye të legjislativit dhe ekzekutivit dy figura që gërshetojnë komunizmin, nëntokën dhe shërbimet sekrete. Është një kombinim Putin - Eskobar - Kastro, kështu që nuk mund të dalë asgjë e mirë nga ky kombinim", ka thënë Kadaj - Bujupi.

18:25 8.12.2014

Konjufca: Qeveri katastrofale

Në pjesën e debateve, partitë opozitare e kanë cilësuar koalicionin e dy partive më të mëdha politike si kapje të shtetit dhe në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se ky koalicion paraqet katastrofë për Kosovën dhe se kjo qeveri nuk mund të premtojë tjetër, veç mjerimit.

"Koalicioni PDK - LDK është katastrofë për Kosovën. Është e vërtetë sepse ky është koalicion i dosjeve, është koalicion i shpërdoruesve të fondit 'Vendlindja thërret', me matrapazët e 3 për qindëshit", ka theksuar Konjufca.

17:09 8.12.2014

Mustafa premton zhvillim ekonomik dhe sundim të rendit dhe ligjit

Mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës ka shpalosur pikat kryesore të programit të tij qeverisës.

Në fjalimin e tij para deputetëve, Isa Mustafa premtoi një qeverise stabile, efikase të përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe në kultivimin e partneritetit me faktorin ndërkombëtar.

Mustafa u zotua për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Po ashtu, ai u zotua për krijimin e një ambienti të sigurt të sundimit të rendit dhe ligjit. Në pika të përgjithshme, Mustafa veçoi edhe angazhimet në fushën e arsimit e shëndetësisë.

Programi qeverisës, sipas Mustafës bazohet në katër parime kryesore.

Ai ka premtuar edhe ndryshimin e politikave tatimore si dhe lehtësime në raport me investimet e jashtme.

"Programi ynë qeverisës do të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale, fuqizim dhe respektim të ligjit, integrimet në Bashkimin Evropian, shëndetësi modernen dhe të tjera".

"Sundimi i ligjit është përcaktues për qeverisjen e mirë. Qeveria do të punojë kundër krimit, terrorizimit korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative", tha Mustafa, duke iu adresuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

16:49 8.12.2014

Fillon seanca për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën me pikën e vetme, zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Isa Mustafa.

Mustafa është nominuar nga lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që paraprakisht kishte marrë mandatin nga presidentja Atifete Jahjaga.

Në sallë janë 104 deputetë nga 120 sa ka gjithsej ky institucion.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG