Ndërlidhjet

Rreth 8.500 azilkërkues nga Kosova këtë vit


Qytetarët presin në rend për të aplikuar për viza, pranë Ambasadës së Zvicrës në Kosovë
Qytetarët presin në rend për të aplikuar për viza, pranë Ambasadës së Zvicrës në Kosovë

Interesimi i të rinjve për të migruar në shtetet e ndryshme është rritur, thonë qytetarët dhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës.

Arsyet pse ata duan ta lënë Kosovën, kryesisht kanë të bëjnë me kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë.

Një student nga Prishtina, Flakron Musliu, i cili studion shkencat kompjuterike, thotë se Kosova nuk po ofron mundësi të mira as për arsimim, e as në punësim.

“Duhet të veprohet që të gjendet një mënyrë e drejtë për të kërkuar punë jashtë. Jashtë shtetit, se në Kosovë një profesion paguhet 200-300 euro e jashtë paguhet 5 mijë euro ndoshta. Për këtë arsye duhet të gjendet mundësi, se në Kosovë kushtet e këqija të shtyjnë të bësh çmos për të ikur jashtë”, tha Flakroni i cili po priste disa orë rresht para Ambasadës së Zvicrës për të kuptuar se a i kanë dhenë vizë apo jo.

Organizatat Joqeveritare në Kosovë, dhe ato ndërkombëtare kanë treguar se numri i të rinjve që duan të ikin nga Kosova për një jetë më të mirë është vazhdimisht në rritje.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se janë në dijeni se kosovarët janë duke shprehur interesim të migrojnë, apo që kanë plane të përafërta.

Safedin Kuçi nga Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion tha për Radion Evropa e Lirë se nga të dhënat e deritashme të cilat janë llogaritur nga muaji janar e deri në shtator, janë mbi 8 mijë persona që kanë lënë Republikën e Kosovës.

“Nga të dhënat që i kemi deri tani, sipas shteteve të ndryshme anëtare të BE-së, dhe duke u bazuar edhe në të dhënat e EUROSTAT-it, faktikisht shifrat deri në fund të shtatorit tregojnë se 8,500 persona kanë kërkuar azil në shtete të ndryshme”, tha Kuçi.

Kuçi tha se në vitin 2013, numri i personave nga Kosova që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, ka shkuar rreth 21 mijë.

“Të dhënat tregojnë se numri ka qenë i rritur diku 104 për qind, numri i tyre ka shkuar në 20 mijë e 175”, ka shpjeguar Kuçi.

Në anën tjetër, Baki Kelani nga Policia e Kosovës thotë se në kuadër të këtyre rasteve që kanë të bëjnë me migrimet ilegale, ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore nga ana e policisë.

“Më qëllim të parandalimit të rasteve të tilla Policia e Kosovës është aktive me plane konkrete në parandalimin e rasteve të migrimit ilegal, kontrabandimit me emigrantë, e në veçanti të rasteve të fundit”, ka thënë Kelani në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, përmes postës elektronike.

Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, thonë se fuqizimi i bashkëpunimit ndërkufitar si dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe informatave ndërmjet institucioneve, përfshirë edhe policitë e vendeve të rajonit, në fushën e menaxhimit të migracionit, është nevojë e menjëhershme.

Në zbatimin e legjislacionit dhe të politikave në fushën e migrimit, institucionet e Kosovës kanë zhvilluar forma të ndryshme të bashkëpunimit me organizata dhe iniciativa të veçanta ndërkombëtare dhe rajonale në fushën e migrimit.

Kosova gjithashtu ka vendosur bashkëpunim bilateral me shtete të veçanta.

Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjësjakryesore për parandalimin dhe luftën e migracionit

të parregullt nëpërmjet menaxhimit të integruar të kufijve, kontrollit të te huajve në procedurat e aplikimit për vizë për të hyrë në Republikën e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG