Ndërlidhjet

Migrimi i paligjshëm shënon rritje


Prishtina
Prishtina

Pavarësisht fushatave të shumta të lancuara nga autoritetet kompetente për të mos migruar në mënyrë të paligjshme, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë interesim për të ikur në ndonjë nga vendet perëndimore.

Hulumtime të shumta të bëra nga Organizatat Joqeveritare në Kosovë, kanë treguar se numri i të rinjve të cilët dëshirojnë të ikin nga Kosova për një jetë më të mirë vazhdimisht është në rritje.

Në anketën e fundit të Agjencisë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar, ishte thënë se deri në 25 për qind e qytetarëve janë të interesuar të migrojnë apo kanë plane të tilla.

Arsyet që nuk kanë zbehur interesimin e qytetarëve për të migruar, sipas sociologut Fadil Maloku, profesor në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, janë papunësia dhe kushtet e vështira ekonomike dhe sociale të shumë familjeve.

“Duke pasur parasysh parametrat ekonomik dhe social në të cilët gjendet Kosova, me një papunësi kaq alarmante me një vizion të paqartë për të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre është e natyrshme që do të rriten ambiciet e njerëzve që të dalin jashtë Kosovës”, thekson Maloku.

Sipas tij, pamundësia e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm, pa viza në zonën evropiane, është edhe një faktor tjetër që ka bërë shumë të rinj të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.

“Në një hulumtim që e kemi bërë në shoqatën e sociologëve, del se mbi 70 për qind e të rinjve fare nuk e kanë imazhin se si duken vendet evropiane. Ata kanë informacione që kanë marrë vetëm përmes internetit apo rrjeteve sociale, por në fakt nuk e dinë si është jeta në perëndim apo si jetohet në ato vende”, tregon Maloku.

Në anën tjetër, sipas statistikave të Policisë së Kosovës sa i përket kontrabandimit me emigrantë dhe trafikimit me njerëz, në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, në bazë të Kodit Penal, janë të hapura 14 raste për kontrabandim me emigrantë, kurse sa i përket trafikimit me njerëz, janë të hapura 17 raste.

Derisa gjatë kësaj jave, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës kishte njoftuar se në dy raste janë arrestuar 15 persona të dyshuar për “kontrabandim të imigrantëve, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës tashmë sa herë kanë deklaruar se koha e migrimit të paligjshëm ka përfunduar dhe Kosova është në proces të liberalizimit të vizave, për lëvizje të lirë në shtetet anëtare të Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, të rinjtë në Kosovë pavarësisht deklaratave të zyrtarëve qeveritarë për të mos migruar, disa të rinj nuk i marrin në konsideratë, por sugjerojnë që ky fenomen të parandalohet duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë.

Ardian Beha një i ri nga Prishtina, ka thënë se duke parë se kriza ekonomike çdo ditë e më shumë po thellohet në Kosovë do të migronte edhe në mënyrë të paligjshme.

“Kushtet më të mira për jetesë janë atje, punësim, rroga më të larta e shumë gjëra të tjera”, shton ai.

Ngjashëm shprehet edhe Zana, një e re nga qyteti i Gjilanit, e cila studion në Universitetin e Prishtinës.

“Në Kosovë jeta nuk është e mirë për të rinj, kushtet nuk janë të mira, Kosova nuk të ofron vende pune e as arsimim të mirë”, thotë ajo.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës është mbi 700 mijë.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG