Ndërlidhjet

Për një jetë “më të mirë”, në Evropë


Ilustrim
Ilustrim

Migrimi në një vend evropian mbetet dëshira dhe shpresa e shumë të rinjve nga Kosova. Kjo vlerësohet alternativa e vetme, siç e quajnë ata, ikjen nga perspektiva dhe gjendja socio- ekonomike që ka kapluar vendin.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa nga ta shprehen se në Kosovë mungojnë burimet dhe mundësitë për të përmbushur nevojat dhe aspiratat e tyre.

Kështu që termi për “ një jetë më të mirë” për veten dhe familjen e tyre përdoret nga shumica e të rinjve që me dëshirë do ta braktisin Kosovën.

Njëri nga ta është 15-vjeçari Bledian Gashi.

“Kam dëshirë ta lëshoj Kosovën për një të ardhme më të mirë, do të shkoja në vendet perëndimore, sepse mundësitë për të gjetur një vend pune atje janë më të mëdha, këtu është papunësi e madhe” , thotë Blediani.

Mirlinda Zeneli, studente në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, përmend arsyen që e motivon për t’ia mësyre migrimit.

“Sikur të mundem që pas përfundimit të fakultetit të punësohem, nuk do ta braktisja, në të kundërtën me dëshirë do të iki nga Kosova, sepse shumë shokë dhe shoqe kanë përfunduar studimet, madje e dhe masterin dhe bredhin rrugëve”, shprehet Mirlinda.

Pavarësisht thirrjeve nga autoritetet kompetente se ikja jashtë vendit është sakrificë që nuk ia vlen, i riu tjetër mbi të 20-at, Agron Raçi, që nuk punon askund thotë se me dëshirë do ta braktisë Kosovën. dhe në mundësinë e parë që do t’i jepej, siç thotë ai, do të nisej në ndonjë vend evropian.

“Vetëm pse nuk ka punë, prandaj do ta lëshoja. Nuk kam ndonjë shtet që preferoj, por ku do t’më jepej mundësia të punoj, aty do të shkoja. Në cilindo shtet të Evropës, për mua është më mirë se në Kosovë”, shprehet Agroni.

Për një periudhë të shkurtër kohore, i riu tjetër Blerim Ferati, thotë se me dëshirë do të shkonte të studionte dhe punonte në Angli:

“Do të shkoja të punoj dhe të studioj, pasi sistemi i arsimit në Kosovë është shumë i dobët. Në Kosovë nuk ka perspektivë”.

Edhe Ylber Raçi, student në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik, njëherësh punon në sektorin privat, pohon se për shkak të shkallës së lartë të papunësisë do ta braktisë Kosovën.

“Duke pasur parasysh kushtet në Kosovë, normalisht që do të iki nga Kosova. Papunësia është shumë e madhe, pagat janë shumë të vogla, për një jetë normale do të shkoja jashtë vendit, pa marrë parasysh në cilin shtet të botës. Këtu është problem edhe arsimi”, pohon Ylberi.

Në anën tjetër, ka edhe të rinj që mendojnë ndryshe.

Ardita Konjufca, studente në Fakultetin Juridik, thotë se për asnjë arsye nuk do të kishte migruar.

“Këtu kam familjen. Kosova është vendi i bukur, ka të ardhme dhe nuk është alternativë ta lëshoj Kosovën. U them krejt të rinjve që mos tentojnë ta lëshojnë Kosovën”, thotë Ardita.

Ndryshe, nga të rinjtë që dëshirojnë të migrojnë, një i ri tjetër nga Prishtina, për një kohë të gjatë ka jetuar në shtetin e Francës dhe ka dy vjet që është kthyer në Kosovë.

Granit Maliqi thotë se me gjithë zhvillimin ekonomik që ka Franca, jeta në Kosovë sidomos për të rinjtë, është shumë e mirë. Sipas tij, edhe këtu (Kosovë) ka mundësi të punohet:

“Më herët kam jetuar në Francë, por tashmë jam kthyer në Kosovë. Jam kthyer me dëshirë, këtu është më mirë. Edhe në Kosovë ka mundësi të gjenden vende të reja të punës. Për një të ardhme më të mirë të vendit duhet të bashkohemi të gjithë. Nëse krahasohen kushtet me Francë, kushtet janë më të ulëta, por nuk është keq as këtu. Në Kosovë jeta për moshën tonë është më e mirë, pa dyshim”, konsideron Graniti.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë se Diasporës, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se shumë të rinj nga rajone të ndryshme të Kosovës vizitojnë këtë institucion, për t’u interesuar për mundësitë e migrimit në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Edhe pse, siç kanë thënë ata, përpjekjet e qytetarëve të Kosovë për të lëshuar vendin, janë të kota, pasi “vendet e Evropës nuk pranojnë më azilkërkues nga Kosova.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë migruar në vende të ndryshme të botës, është mbi 700 mijë persona. Në kuadër të kësaj shifre, janë futur edhe fëmijët e lindur jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG