Ndërlidhjet

Rangim më i mirë i Kosovës, në “të bërit biznes”


Nje fabrike tekstili ne Kosove
Nje fabrike tekstili ne Kosove

Në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes” për vitin 2015, Kosova ka shënuar përparim në rangimin e përgjithshëm në këtë raport, kanë vlerësuar zyrtarët e Agjencisë për regjistrimin e bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Qeverisë së Kosovës.

Ata janë përqëndruar në dy nga 10 indikatorët e vlerësuar në raportin “Të bërit biznes”, të cilët janë drejtpërdrejt të ndërlidhur me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe me Agjencionin për regjistrimin e bizneseve.

Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes” për vitin 2015 e ka ranguar Kosovën në pozitën 75.

Gazmend Mejzini, krye-shef i Agjencisë për regjistrimin e bizneseve, ka theksuar se ky rangim, shënon ngritje prej 11 pozitash në krahasim me vitin 2014, kur Kosova, sipas tij, ishte ranguar në pozitën e 86. Myezini, ka theksuar se po ashtu, Kosova ka shënuar përparim edhe në indikatorin e quajtur “fillimi i bizneseve”.

“Në vitin e kaluar , rangimi i përgjithshëm i Kosovës në kuadër të këtij raporti të Bankës Botërore, ‘Të bërit biznes’, ka qenë pozita 86-të, kurse sot jemi në pozitën e 75-të, që njëkohësisht shënon një ngritje prej 11 pozitave në rangimin e përgjithshëm. Sa i përket indikatorit ‘fillimi i biznesit’, aty kemi bërë vërtet një ngritje jashtëzakonisht kualitative, por të cilin jemi shumë krenarë. Nga vendi i 100-të, ku kemi qenë në vitin e kaluar, sot Kosova rangohet në vendin e 42-të.”, ka theksuar Mejzini.

Sipas tij, ky ndryshim pozitiv ka ardhur si rezultat i ndryshimeve, thjeshtësimeve të procedurave, shkurtimit të afatit kohor për regjistrimin e biznesit, si dhe integrimin e sistemit të regjistrimit, sikurse është administrata tatimore dhe doganat

“Ky afat prej 52 ditëve që është dashur, për të filluar një biznes në të kaluarën, si rezultat i të gjitha ndryshimeve dhe reformave nga 2011-ta, sot kemi arritur në një afat, i cili është më pak se 2 ditë dhe biznesi fillon. Kjo, sigurisht që është reflektuar edhe në raportin e Bankës Botërore”, ka shtuar Mejzini.

Por, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i vlerëson si të pasakta pohimet e zyrtarëve të Agjencisë për regjistrimin e bizneseve, duke theksuar se Kosova nuk ka shënuar përmirësim për 11 vende, por vetëm për 6-të. Gjithashtu sipas tij, objektivat e planifikuara nga Qeveria e Kosovës, nuk rezultojnë të realizuara në raportin e bankës Botërore “Të bërit biznes”.

Abdixhiku, gjithashtu, ka shtuar se “raporti “Të bërit biznes” ka bërë matjen e hapjes së biznesit dhe në këtë drejtim shihet një përparim i dukshëm, duke pas parasysh se, siç thotë ai, në Kosovë bizneset hapen shumë lehtë. Por, sipas tij, problematika fillon me mirëmbajtjen dhe ekzistencën stabile të biznesit.

“Në Kosovë ka diku rreth 120 mijë biznese që janë të regjistruara, për shkak se është lehtë të regjistrohen. Por, janë diku vetëm rreth 60 mijë biznese aktive. Gjysma, pothuajse, janë joaktive. Pra, problemet kryesore ekonomike të Kosovës nuk kanë të bëjnë me regjistrimin e bizneseve, siç bëhet pra matja dhe rangimi në këtë listë".

"Por, kanë të bëjnë me një paqëndrueshmëri të vlerës, të krijimit të vendeve të punës, me prezencën e korrupsionit, të barrierave të jo formalitetit , mosfunksionimit të gjykatave, mosfunksionimit të politikave të favorshme subvencionuese fiskale, e kështu me radhë. Të gjitha këto probleme ekonomike, pra, reale, me të cilat ballafaqohen bizneset, nuk janë kapur nga raporti, sepse në fakt, raporti nuk e ka një qëllim të tillë”, ka shtuar Abdixhiku.

Ndryshe, Banka Botërore në këtë raport, bën vlerësimin e 10 indikatorëve që ndikojnë në ambientin e zhvillimit të biznesit. Në disa indikatorë, siç janë energjia elektrike, qasja në financa apo lejimi i kredive, pagesa e taksave, tregtia ndërkombëtare, Kosova ka shënuar rënie.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG