Ndërlidhjet

Përparim në të bërit biznes


Produkte vendore...
Produkte vendore...

Ambienti biznesor gjatë këtij viti, për disa prodhues vendorë vlerësohet të ketë shënuar përmirësime, por megjithatë ende nuk është arritur të bëhen reforma të duhura krahasuar me vendet e rajonit.

Problemi me furnizim të rregullt me energji elektrike që nga kompanitë vendore ishte vlerësuar si i tejkaluar, është rikthyer në tre muajt e fundit, bëjnë të ditur pronarë të bizneseve vendore.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike. Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se ky vit kishte filluar mbarë sa i përket reformave në të bërit biznes.

“Këtë vit ndonëse ndryshimet nuk kanë qenë të mëdha, duhet ta pranojmë se ka pasur ndryshime. Qysh në fillim të këtij viti ishin liruar disa lëndë të para nga taksa doganore, edhe te bankat komerciale ka pasur ulje të normave të interesit, ndonëse krahasuar me vendet e rajonit, prapë këto kamata janë të larta, por që mund të themi se është vërejtur një ulje e lehtë”, tregon Palushi.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “ Të bërit biznes” i publikuar vitin e kaluar, Kosova kishte shënuar progres në të bërit biznes. Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes”, i cili gjykon 189 vendet në 11 kritere të ambientit afarist, pritet të publikohet në tetor.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin Bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmend Mejzini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se gjatë këtij viti janë bërë reforma rrënjësorë në të bërit biznes dhe presin që të në këtë raport të vlerësohen me notë pozitive.

Sipas tij, mangësitë të cilat janë raportuar në raportet e të bërit biznes, kohë më parë, siç janë procedurat e gjata për regjistrimit të bizneseve, tani janë eliminuar.

Pos që i kemi përmirësuar shërbimet tona, ne jemi në proces të vazhdueshëm të ofrimit të shërbimeve më të mira për biznes. Përpos që është shkurtuara afati për regjistrimin e biznesit, janë përmirësuar edhe shënimet. Ne shumë shpejt mendojmë të fillojmë edhe me zhvillimin e një softueri të ri, i cili do t’u mundësojë të gjitha bizneseve aplikimin on-line”, bën të ditur Mejzini.

Kosova, e cila në raportet e të bërit biznes nuk ishte radhitur mirë krahasuar me vendet tjera, sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në këtë vit, sipas Mejzinit, në këtë fushë ka pasur përmirësime dhe se presin që ky indikatorë të vlerësohet me notë pozitive.

“Te mbrojtja e investitorëve, me ndryshimet e fundit që janë bërë në Ligjin për investitorët e huaj, atyre iu ofrohet një mbrojtje më e madhe, sidomos investitorëve minor dhe aty besoj që është shënuar një përparim”, vlerëson Mejzini.

Sidoqoftë, problemet më të mëdha që theksojnë përfaqësuesit e bizneseve mbesin taksat doganore. Palushi nga kompania “Frutex” thekson se duhet të bëhet lirimi nga taksa doganore për lëndë të parë edhe për produkte tjera, pasi që ajo e vështirëson zhvillimin e veprimtarisë së tyre.

Reformat, të cilat vazhdojnë i mungojnë Kosovës janë ato të politikës fiskale. Në Kosovë për një pjesë të lëndës së parë që importohet paguajmë taksë doganore derisa vendet e rajonit e kanë këtë lëndë të parë dhe nuk kanë nevojë të paguajnë taksë, por edhe nëse e importojnë, ata janë të liruar nga taksa doganore”.

“Një problem tjetër që e ka përcjell shumicën e kompanive është problemi me energji elektrike, problem ky i cili është rritur gjatë dy muajve të fundit dhe si pasojë ka rritur edhe koston e prodhimeve finale të kompanisë tonë”, shton Palushi.

Me një problem të ngjashëm përballet edhe ndërmarrje tregtare prodhuese e lëngjeve “Fruti” në Podujevë.

Xhevat Zymeri nga kjo kompani, ka treguar për Radion Evropa e Lirë lidhur me problemet, me të cilat ballafaqohet kompania:

“Nuk jemi të barabartë me prodhuesit e vendeve të rajonit, ata kanë lehtësira që ju ofron shteti dhe nuk ngarkohen me taksa të larta doganore, derisa në Kosovë është e kundërta. Ne paguajmë edhe për import të lëndës së parë edhe për eksport të produktit final”, shprehet Zymeri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG