Ndërlidhjet

Kosova e padijshme në zbatimin e marrëveshjeve tregtare


Marrëveshjet e bashkëpunimit ekonomik të nënshkruara mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, nuk kanë qenë gati asnjëherë në favor të Kosovës. Derisa vendet e rajonit, kanë përfituar nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve Kosova nuk kishte arritur një gjë të tillë.

Ish përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, fajin për këtë e adresojnë tek autoritetet e Kosovës, pasi që siç thekson ish ministri i Bujar Dugolli, institucionet kompetentet të vendit nuk arritën të krijojnë një politike të duhur të subvencionimit të ekonomisë vendore.

“Që nga koha kur ne kemi filluar të ndërtojmë raporte bilaterale tregtare me vendet e Ballkanit Perëndimorë vendi ynë ka qenë në një izolim tregtare dhe në atë kohë ishte një hap pozitiv arritja e këtyre marrëveshjeve, por tani nëse i shikojmë vitet e pas pavarësimit të shtetit, institucionet e Kosovës është dashur të shikojnë apo të ndërtojnë kapacitetet në zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha dispozitat që i ka marrëveshja që ta favorizojnë ekonominë vendore”, vlerëson Dugolli.

Edhe marrëveshja për Tregti të Lirë, CEFTA, një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga përfaqësues të biznesit thuhet se për Kosovën nuk ka treguar ndonjë sukses të madh.

Kapacitetet e pamjaftueshme të prodhuesve kosovarë dhe mospërmbushja e standardeve për cilësinë e produkteve, si dhe disa barriera që iu janë vendosur këtyre produkteve nga ana e shteteve të caktuara, kanë bërë që Kosova të mos ketë përfituar shumë nga marrëveshja CEFTA, anëtare e së cilës është që nga vitit 2007.

Për zbatimin e këtyre marrëveshjeve tregtare me vendet e rajonit, tregon ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli përmes donacioneve kishin trajnuar njerëz, por që sipas tij, ata njerëz të trajnuar dhe profesionistë me ndërrimin e pushtetit largoheshin nga puna apo sistemoheshin në pozita tjera, e që ishte në dëm të ekonomisë.

“Dhe kur t’i nuk ke njerëz të thirrur apo nuk i njohin këto çështje atëherë e hedh fajin te një marrëveshje që nuk është vetëm për ne e tillë, por është për të gjitha vendet e rajonit e njëjtë. Pra nëse ata po dinë ta zbatojnë apo të nxjerrin elemente që t’i mbrojnë prodhimet vendore atëherë pse Kosova nuk po din. Pra nuk duhet të fajësojmë vendet e rajonit, por vetveten”, thotë Dugolli.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve vlerësojnë se Republika e Kosovës është lider i respektimit të marrëveshjeve tregtare me të gjitha vendet e rajonit dhe evropiane.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se Kosova i ka ofruar secilit biznes nga cilido shtet një sistem liberal të tregut, por që këto shtet nuk kanë bërë të njëjtën gjë me Kosovën.

“Shpesh ka pasur edhe bllokada të produkteve të Kosovës në eksport, ka pasur edhe taksa shtese, duke mos ja njohur edhe origjinën kjo e ka bërë që Kosovën të mos e respektojnë shumë vende të ndryshme si partner për import, por vetëm si partner për eksport në Kosovë. Kjo e ka dëmtuar rëndë ekonominë prodhuese në Kosovë, por edhe në përgjithësi e ka detyruar konsumatorin që të bëjë zgjedhje të produkteve të huaja sesa të vendit”, shton Shahini.

Ndryshe, marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje, gjatë viteve të fundit ishin përcjellë me probleme të ndryshme.

Vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnje e Hercegovina dhe Shqipëria, jo rrallë kishin vënë barriera tregtare prodhimeve kosovare, duke dëmtuar kështu ekonominë e Kosovës.

Barriera më të mëdha tregtare karshi Kosovës kishin bërë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Maqedonia, ndërkohë, kishte vënë barriera për prodhimet kosovare, siç ka qenë rasti me prodhimet e pijeve dhe me miellin.

Edhe Shqipëria, për një kohë të gjatë kishte aplikuar çmimin referent për patatet e prodhuara në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG