Ndërlidhjet

Ngecja në anëtarësime dhe njohje të reja


Që nga pavarësimi, Kosova është njohur nga më shumë se 100 shtete të botës dhe ka arritur që të anëtarësohet në disa mekanizmat ndërkombëtarë, siç është Fondin Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e të tjera.

Mirëpo, njohësit e zhvillimeve politike konsiderojnë se institucionet nuk kanë ndonjë strategji konkrete për njohje të reja dhe anëtarësime në mekanizma të tjerë.

Ish-ministri i jashtëm Skënder Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës është ajo e cila ka dështuar në hartimin e një strategjie frytdhënëse të zbatueshme për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Është e pashpjegueshme se pse Qeveria dhe Ministria e Jashtme nuk kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Të gjitha kushtet dhe predispozitat për aplikim në këtë mekanizëm janë plotësuar dhe madje edhe vota të mjaftueshme ka, po që se do të vinte deri të votimi për aplikacionin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Hyseni.

Ai tha se edhe ngecja në njohje të reja është e pakuptueshme dhe se sipas tij kjo gjendja ka ardhure si pasojë e mungesës së një strategjie që jep fryte.

“Asambleja e përgjithshme në OKB, kaloi kemi parë tre-katër takime gjithsej që i ka pasur presidentja. Edhe ato sa kam pasur mundësi me i përcjell, kanë qenë takime të përsëritura që i ka pasur edhe ministri i Jashtëm edhe unë kur kam qenë ministër i Jashtëm. Kjo tregon për një mungesë plani afatgjatë dhe strategjie".

"Do të thotë, punohet ad-hok edhe presidentja dhe ministri i Jashtëm edhe të gjithë ata që merren me politikë të jashtme. Pra, janë duke bërë politikë ad-hok e jo punë sistematike dhe e planifikuar mirë”, ka theksuar Hyseni dhe ka shtuar se si qytetar dhe si ish-ministër i Jashtëm nuk e din saktë se sa është numri i shteteve që kanë njohur Kosovën deri më tash.

“Edhe unë jam shumë kureshtar ta di se sa është numri i saktë i njohjeve. Ketë pyetje e kam bërë sa herë në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, mirëpo nuk kam marr përgjigje asnjëherë”, u shpreh Hyseni.

Njohja nga Ishujt Solomon ishte e fundit që ka ardhur për Kosovën.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se një ndër shkaktarët kryesorë në ngadalësimin e njohjeve të reja është ngërçi politik në vend.

Sipas tyre, nëse kjo gjendje vazhdon, atëherë Kosova mund të rrezikojë rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Për analistin politik Halil Matoshi, janë tre faktorë që kanë ndikuar në mosnjohjen e mëtejme të Kosovës nga shtete anëtare të OKB-së.

E para sipas tij, janë zhvillimet në lindjen e mesme dhe në Ukrainë. E dyta ofensiva e Serbisë në OKB dhe të shtete veç e veç kundër njohjeve të Kosovës dhe e treta, sipas tij, është keqqeverisja në Kosovë.

“Këto janë tri arsyet që sipas meje njohjet ndërkombëtare mungojnë, por edhe anëtarësi i Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare po ashtu janë neglizhuar, dhe Kosova nuk po arrin dot që t'ia dalë për t'u anëtarësuar”, tha Matoshi.

Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme, kohëve të fundit kanë deklaruar se Kosova shumë shpejt do të njihet nga disa shtete, madje duke thënë se mund të këtë njohje edhe nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Këto pohime të qeveritarëve, analisti politik Matoshi i konsideron si të kota.

“Nuk ka ndonjë strategji efektive me gjithë mekanizmat e një shoqërie të organizuar politikisht që t’i arrijë këto synime - pra të arrijë te njohjet. Sa i takon njohjeve nga 5 vendet e Bashkimit Evropian objektivisht unë mendoj kemi të bëjmë me neglizhencë, mosdije dhe moskompetencë të faktorit kosovar, përkatësisht lidershipit të kësaj Qeverisë se Kosovës dhe ministrisë së Jashtme, sepse qëndrimet e këtyre 5 shteteve karshi Kosovës janë ndoshta më të zbutura që nga shpallja e pavarësisë e këtej”, tha Matoshti

Ndryshe institucionet financiare ndërkombëtare në të cilat tashmë Kosova është anëtare me të drejta të plota, kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare, duke dhënë kredi për projekte të ndryshme me kushte më të favorshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG