Ndërlidhjet

Normalizim me apo pa njohje


Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është paraqitur se ka si qëllim kryesor normalizimin e marrëdhënieve midis dyja vendeve.

Ky dialog ka rezultuar tashmë me disa marrëveshje, përfshi edhe atë të parimeve të para për normalizim.

Mirëpo, ajo që ekspertët e kanë shtruar vazhdimisht si dilemë, është rezultati përfundimtar, përkatësisht nëse në fund Serbia do të duhet të njohë Kosovën, por edhe anasjelltas.

Brukseli si ndërmjetësues i këtij dialogu nuk e ka vënë njohjen si kusht.

Por, gjithë procesin e ka orientuar duke e kushtëzuar zbatimin e marrëveshjeve me proceset integruese evropiane, si për Serbinë, e cila ndodhet afër kandidaturës, e po ashtu dhe për Kosovën, ndonëse ende është në fazat fillestare.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se njohjet do të duhej të ishin rrjedhojë e këtij procesi.

Por, për shkak të ndjeshmërisë në raportet Kosovë – Serbi, ai beson se mund të gjenden mënyra për një normalizim edhe pa pasur nevojën e njohjes.

“Një normalizim i tillë i marrëdhënieve mund të ndodhë edhe pa njohje, duke pasur parasysh faktin e një zhvillimi shumë dinamik të Drejtës Ndërkombëtare dhe fakti që komuniteti ndërkombëtar është shumë i fuqishëm dhe tejkalon zhvillimin e brendshëm brenda një shteti dhe kur kemi parasysh që ky komunitet është i angazhuar në mënyrë aktive në këto bisedime, atëherë konsideroj që i gjithë ky proces na udhëheqë drejt një rrjedhe të normalizimit që Kosova dhe Serbia në të ardhmen e afërt do të ballafaqohen, normalisht pa e njohur njëra tjetrën”, ka vlerësuar Hoti.

Një shqetësim tjetër që në vazhdimësi ngrihet në Prishtinë, është ai i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian përpara se ky vend ta njohë Kosovën.

Marrja e këtij statusi, sipas shumë njohësve, konsiderohet se do të ishte tejet fatal për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Megjithatë, kështu nuk mendon Afrim Hoti, i cili beson se BE-ja edhe në këtë rast mund të gjej zgjidhje.

“Mendoj që autoritetet evropiane janë të vetëdijshme për pengesat eventuale që do të mund të vinin nga Serbia dhe mendoj që këto pengesa ose do të pamundësohen para anëtarësimit të Serbisë ose do të vihen në mënyrë të tillë që Serbia në momentin e anëtarësimit të mos mund të përdorë asnjë lloj vetoje në kuptimin e bllokadës ndaj Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, publicisti dhe analisti Belul Beqaj konsideron se procesi i tanishëm i dialogut me asgjë nuk mund të garanton normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi. Ai i numëron edhe arsyet kryesore pse, sipas tij, nuk mund të ketë një normalizim të shpejtë të këtyre marrëdhënieve.

“Do të ishte iluzore të presim që përmes një dokumenti, qoftë traktati apo marrëveshje të tejkalohen shkaqet të cilat kanë karakter gjeopolitik, ngase tek serbët është ndërtuar një mentalitet që ata duhet të shtrihen deri ku duan vet".

"Së dyti, mendoj se shkaku që nuk jep garanci ka të bëjë me mos mundësinë e tejkalimit të dallimeve nga aspekti kulturor dhe së treti nuk mund të garantohet normalizimi derisa në Serbi as në fazën latente nuk shihet se është paraqitur ndonjë lider i cili do të ballafaqohej me të kaluarën e hidhur në raport me fqinjët
”, ka thënë Beqaj për Radion Evropa e Lirë.

Duke u nisur nga rezultatet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Belul Beqaj beson se ato vetëm sa kanë thelluar problemin. Krijimi i asociacionit të komunave serbe, vlerëson ai, mund të jetë një burim tjetër i ndasive dhe problemeve si në Kosovë ashtu edhe në relacionet e saj me Serbinë.

Bashkësia ndërkombëtare mjerisht ka investuar në një zgjidhje të shpejtë, por në një destabilizim afatgjatë duke krijuar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë”, ka theksuar Beqaj.

Procesi aktual i bisedimeve po udhëhiqet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Vendet e Bashkimit Evropian do t’i bëjnë një vlerësim zbatimit të marrëveshjeve diku në fund të dhjetorit apo në fillim të janarit të ardhshëm dhe më pas do të vendosin, sidomos në raport me Serbinë nëse do t’i japin apo jo datën e kandidaturës për integrim në Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, analistët ndajnë mendime të ndryshme dhe disa nuk presin që Serbia të merr vendin e vet në BE pa zgjidhur problemet me Kosovën, duke mos e përjashtuar që këtij vendi t’i parashtrohet në fund kushti i njohjes së Kosovës me anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Qeveria e Kosovës ka publikuar të martën përmbajtjen e të dyja marrëvveshjeve të arritura më 8 shkurt në Bruksel: Marrëveshjen për Energjinë dhe Marrëveshjen për Telekomunikacionin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG