Ndërlidhjet

Maqedoni: Presione për heqje dorë nga greva


Ilustrim
Ilustrim

E drejta e grevës apo e protestës në Maqedoni gjithnjë e më shumë po shuhet, për shkak të presioneve të ndryshme, me të cilat përballen organizatorët apo qytetarët që marrin pjesë në shprehjen e pakënaqësisë për çështje të caktuara.

Kështu vlerësojnë aktivistët për të drejtat e njeriut duke komentuar tensionet në rritje në prag të grevës së përgjithshme në arsim të paralajmëruar për më 29 shtator.

Mirjana Najçevska, profesoreshë universitare dhe ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit, thotë se ndryshimet e fundit në Ligjin për arsim, me të cilat parashihet zëvendësimi i arsimtarëve me kuadër tjetër gjatë ditëve të grevës, është edhe një dëshmi për presionet e pushtetit ndaj punonjësve të arsimit për të hequr dorë nga greva.

“Zgjidhjet ligjore tashmë të miratuara, përfundimisht janë në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara edhe nga Maqedonia. Me këtë, Qeveria do të shkaktojë tensione plotësuese, në vend se të pranojë dialogun për zgjidhjen e problemeve, apo përmbushjen e kërkesave minimale. Qeveria, me këto ndryshime, synon që t’i fshehë problemet apo të bëjë presione për pengimin e grevës".

"Në një situatë të tillë, problemet vetëm sa mund të grumbullohen dhe një ditë situata mund të shpërthejë në mënyrën më jo adekuate të mundshme“, thotë Najçevska.

Ajo vë në pah edhe nevojën e një organizimi sa më të mirë të organizatave sindikale, pasi vetëm të bashkuar, siç shprehet ajo, mund të arrihet t’u bëhet ballë përpjekjeve të pushtetit për të penguar protestat, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

“Mendoj se organizatat sindikale duhet të koordinohen mirë që të mos lihen arsimtarët që vetë të dalin në grevë. Sindikata e arsimit duhet t'i mobilizojë të gjithë punonjësit që të ketë sukses. Përpjekja e pushtetit për ngufatjen e së drejtës për protestë, mund të dështojë vetëm nëse ne nuk ia japim një mundësi të tillë. Pra, sindikatat duhet të organizohen mirë që qytetarët ta kuptojnë thelbin e problemit”, thekson Najçevska.

Por, nga Ministria e Arsimit thonë se ndryshimet e fundit ligjore nuk kanë për qëllim bërjen e presioneve ndaj punonjësve të arsimit, por ruajtjen e kontinuitetit të procesit mësimor, që nxënësit të mos humbin në mësime për shkak të zgjatjes së grevës.

Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, thotë se qeveria është e gatshme të bisedojë me sindikatën e arsimit për shqyrtimin e kërkesave para nisjes së grevës.

“Qëllimi kryesor i ministrisë është që të mos ketë ndërprerje të procesit edukativo-arsimor dhe në asnjë mënyrë nuk është qëllimi që të pengohet greva. Kërkesat e sindikatës duhet të shqyrtohen, janë kërkesa që mund të zgjidhen nëpërmjet një dialogu mes sindikatave dhe institucioneve shtetërore. Unë shpresoj që para se të mbahet greva, sindikata të kërkojë që këto kërkesa të shqyrtohen në takime të përbashkëta dhe të arrihet qëllimi kryesor, por edhe të mos ketë grevë në këtë sektor”, thotë Ademi.

Por, nga sindikata thonë se qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar kërkesat e tyre, por asnjëherë nuk ka dhënë sinjale se është e gatshme t'i pranojë ato. Dhe, jo vetëm kaq, qeveria, sipas sindikatës, ka vazhduar me presionet ndaj mësimdhënësve për të hequr dorë nga greva. Sindikata kërkon rritjen e rrogave në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm, anulimin e provimit ekstern, marrëveshjet kolektive dhe kërkesa tjera që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve në punë dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG