Ndërlidhjet

Maqedoni: Thellohen ndasitë etnike në arsim


Ilustrim
Ilustrim

Viti i ri shkollor sërish ka nxjerrë në sipërfaqe problemet e shumta që ekzistojnë në arsimin me mësim në gjuhën shqipe.

Mungesë të hapësirave shkollore, mungesë të fondeve, shkolla me nga dy emra, tekste mësimore me përmbajtje fyese dhe gabime të shumta gjuhësore, mungesë të kuadrit mësimor, e shumë probleme tjera, që sipas shoqatave të arsimtarëve shqiptarë, dëshmojnë ndasitë e mëdha në baza etnike në arsim.

“Problemet e grumbulluara me vite në arsim vetëm sa vijnë e shtohen në aspekt të diskriminimit të arsimimit në gjuhën shqipe. Për shkak të kushteve të këqija, një numër i konsiderueshëm i shkollave nuk kanë nisur ende procesin mësimor”.

“Pos hapësirave, problem tjetër është ndarja joproporcionale e mjeteve financiare, pasi dihet se shkollave shqipe u ndahen shumë pak mjete, pjesa më e madhe e tyre shkon te shkollat me mësim në gjuhën maqedonase. Pra, kemi një ndarje shumë të madhe në baza etnike dhe dëshmi për këtë janë edhe librat ofendues që kohën e fundit me të madhe botohen dhe ribotohen, e të cilat pavarësisht reagimeve të shoqatave tona, jo vetëm që nuk përmirësohen, por shtohen edhe më shumë”, thotë Etem Xheladini nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë.

Problem tjetër sipas Xheladinit mbetet edhe ai i emërtimit të shkollave dhe mosrespektimi i vendimeve LASH-së, komunave dhe këshillave të prindërve.

Katër shkolla me mësim në gjuhën shqipe në Komunën e Çairit, tash e dy vjet punojnë me nga dy emra, pasi emrat maqedonas të zëvendësuar me emra të rinj të personaliteteve të njohura shqiptare, nuk njihen nga Ministria e Arsimit dhe për rrjedhojë, përveç tabelave në objektet shkollore, i gjithë dokumentacioni tjetër, përfshirë edhe dëftesat zhvillohen në bazë të emrave të vjetër.

Përfaqësuesi i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, Xheladini, thotë se është koha e fundit që problemet e tilla të zgjidhen pasi kjo po reflektohet në masë të madhe në cilësinë e arsimit

“Këto dhe shumë probleme tjera imponojnë nevojën që ne të mobilizohemi, pra, punëtorët e arsimit dhe prindërit që njëherë e përgjithmonë t’i zgjidhim këto probleme. Ndryshe, nëse vazhdon kështu, arsimi do të pësojë humbje edhe më të mëdha, do të humbin vlerat, do të humbë gjithçka që është arritur me sakrifica, pasi ai nuk përkrahet nga pushteti“, vlerëson Xheladini.

Nga ana tjetër, nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike për gjendjen e krijuar në arsim, në veçanti për ndasitë etnike, fajësojnë partitë politike

“Konfrontimet që bëhen mes partnerëve të koalicionit e çojnë sistemin arsimor në shkallën më të ulët të mundshme, nga e cila më së shumti pësojnë fëmijët, që rriten ose edukohen në frymën e urrejtjes - kjo është e papranueshme. Duke mos mundur të zgjidhin problemet politike, ata nxisin fëmijët ose punëtorët e arsimit në veprime të rrezikshme”, shprehet Vllado Dimovski, nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

Duke komentuar një nga problemet e fundit me Shkollën e mesme profesionale të Kimisë, ku nxënësit shqiptarët bojkotojnë mësimin duke kërkuar aplikimin e dygjuhësisë në shkollë, si dhe kuadër mësimor shqiptar, ai thotë se disa nga këto kërkesa janë të pranueshme.

“Administrata në shkollat me përbërje të përzier etnike duhet të jetë në dy gjuhë, por sa i përket kërkesës tjetër për kuadër shqiptar, vlerësoj se kjo mund të plotësohet vetëm nëse vërtet ekziston kuadër i tillë, që unë dyshojë. Te shkollat me mësim në gjuhën shqipe ka mungesë të kuadrit profesional, andaj kërkesat e tilla nuk qëndrojnë. Në momentin kur do të ketë një kuadër të tillë, atëherë me siguri se edhe do të jenë pjesë e procesit mësimor", thekson Dimovski.

Nga Ministria e Arsimit thonë se po punojnë për zgjidhjen e problemeve që sistemi arsimor të mos shkaktojë ndasi etnike, apo të paktën të mos ekzistojë bindja e ndarjeve të tilla.

Por, përveç problemeve në baza etnike, arsimi në Maqedoni përballet edhe me probleme tjera, kërkesa për rritje pagash, anulim të provimeve eksterne e kërkesa tjera që arsimtarët vlerësojnë se nuk përkojnë me kushtet e sistemit arsimor në vend.

Për në fund të këtij muaji ata kanë paralajmëruar edhe grevë të përgjithshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG