Ndërlidhjet

Maqedoni: Reformat në arsim, vetëm në letra


Ilustrim
Ilustrim
Punonjësit e arsimit në Maqedoni ankohen se me zbatimin e reformave në sistemin arsimor janë të detyruar të merren me një varg punësh administrative.

Ndër ato punë, përmendin atë që krahas plotësimit të ditarit klasik, duhet të plotësojnë dhe atë elektronik përmes një sistemi të stërngarkuar, planifikimin e takimeve javore me prindërit, si dhe informimin e tyre përmes sms-porosive për suksesin e fëmijëve dhe rregullshmërinë në shkollë.

Këtu përfshihet edhe hartimi i dosjeve elektronike për të gjitha aktivitetet e çdo nxënësi në veçanti, duke limituar kështu në minimum kohën për përgatitjen e aktiviteteve kreative gjatë procesit të mësimit.

Ne gjithnjë e më shumë jemi të detyruar që më shumë kujdes t`i kushtojmë anës teorike, gjegjësisht plotësimit të letrave, duke qenë të detyruar të limitojmë kohën e hulumtimit dhe përgatitjes së metodologjive bashkëkohore për të qenë sa më kreativë gjatë orëve mësimore, gjatë përcjelljes së dijes te nxënësit. Më duhet të them se fatkeqësisht procesi arsimor gjatë zbatimit të reformave përballet me probleme serioze”, thotë Marina Manjollovska, drejtoreshë e Gjimnazit të Kumanovës.

Ndërkaq, ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti, thotë se fillimi i zbatimit të reformave në kohën kur ai drejtonte dikasterin e arsimit, qëllimi parësor kishte një kriter, edhe atë që standardet dhe planet e reja mësimore të adaptohen me nevojat e tregut të punës dhe jo të njëjtat të figurojnë vetëm në letër ose edhe më keq, të përdoren si kamxhik për të ndëshkuar arsimtarët.

“Qasja e realizmit të reformave është e gabuar, për shkak të dëshirës së politikës, e cila nuk është e interesuar që realisht t’i zbatojë reformat në arsim, por për t`i shfrytëzuar punonjësit e arsimit, respektivisht për t`i disiplinuar ata që të jenë votues të dëgjueshëm ashtu siç veprohet edhe në sferat e tjera”.

“Vlerësoj se mësimdhënia dhe mësimnxënia në asnjë mënyrë nuk duhet të shndërrohen në një proces administrativ. Respektivisht, me këto reforma komponenti edukativ është lënë anash duke u fokusuar në atë pjesën administrative që s’ka të bëjë fare me qëllimin e realizimit të reformave në arsim që janë më se të nevojshme”, thekson Rushiti, ish-ministër i Arsimit gjatë mandatit të të cilit filloi realizmi i pjesës më të madhe të reformave në arsim me kalimin e sistemit tetëvjeçar në atë nëntëvjeçar në shkollat fillore.

Nga ana tjetër, Suzana Miovska - Spasevska nga Instituti Pedagogjik në Shkup, thekson se reformat në procesin arsimor janë ndërmarrë pa u realizuar përgatitjet e duhura, si në riedukimin e punonjësve të arsimit, ashtu dhe sigurimin e kushteve materiale në shkolla.

Ajo potencon se në aspektin formal është kopjuar gjithçka që ka të bëjë me arsimin nga vendet e zhvilluara evropiane, pa u siguruar paraprakisht kushtet për aplikimin e këtyre standardeve në kushtet e Maqedonisë.

“Po e filloj nga hapi i parë kur fëmijët kyçen në sistemin arsimor një pjesë e mësuesve të klasave të ulëta u zhvendosën për të punuar me fëmijët parashkollorë, pa u definuar qartë statusi i tyre, pra kemi të bëjmë me mos harmonizimin e legjislativit me profilin e kuadrove dhe nevojave që realisht ka sistemi arsimor”, thekson ajo.

Ndërkaq, nga dikasteri i Arsimit theksojnë se një pjesë e implementimit të reformave tashmë ka nxitur përgjegjësinë tek arsimtarët dhe profesorët me atë që kjo reflekton drejtpërdrejt në ngritjen e kualitetit të procesit arsimor.

Sipas ministrit në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, një pjesë e reformave nuk kanë rezultuar me sukses, jo pse ato nuk janë analizuar mirë nga ekspertët, por për shkak se implementimi i tyre ka hasur në rezistencë nga vetë punonjësit e arsimit, nga të cilët kërkohet më shumë përgjegjësi.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se një pjesë e rezistimit të reformave nga ana e qarqeve të caktuara ka bërë që një pjesë e reformave të realizohen pjesërisht të përcjella me më shumë defekte teknike. Ne gjatë çdo aktiviteti jemi konsultuar me ekipe profesionale për çështje arsimore”, vlerëson Ristovski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG