Ndërlidhjet

Këshillimet në grup cenojnë privatësinë e nxënësve


Shkollë në Maqedoni (Foto nga arkivi)
Shkollë në Maqedoni (Foto nga arkivi)
Me ndryshimet e Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, të propozuar, parashihet që prindërit e nxënësve që kanë marrë tri e më shumë nota të dobëta brenda një tremujori, gjatë një gjysmëvjetori, si dhe prindërit e atyre nxënësve që mungojnë pa arsye apo shfaqin sjellje devijuese, do të duhet detyrimisht të paraqiten te psikologu i shkollës për t`u këshilluar në funksion të ndërgjegjësimit të prindërve, por edhe nxënësve.

Me këtë synohet që prindërit të bëhen pjesë aktive e procesit edukativo-arsimor.

“Në bazë të reformave që jemi duke i bërë në procesin arsimor, veçanërisht me ndryshimin e fundit të Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm në pjesën që ka të bëjë me këshillimin e prindërve. Shkollat e kanë për obligim përforcimin e kapaciteteve për shërbime pedagogjike dhe psikologjike”.

“Për këtë vit është paraparë inkuadrimi i 70 pedagogëve dhe psikologëve në shkollat e Maqedonisë, ku mungon ky lloj kuadri dhe kjo është faza e parë. Ndërsa faza e dytë, fillon nga fundi i këtij viti me inkuadrimin e një numri më të madh të kuadrit profesional me atë që prindërit të bëhen pjesë aktive e procesit edukativo-arsimor”, bën të ditur zëvendësministri për arsim, Safet Neziri, duke shtuar se kjo bëhet në funksion të rritjes së cilësisë në sistemin arsimore:

“E gjithë kjo është në funksion të komunikimit të mirëfilltë ndërmjet prindërve, nxënësve dhe arsimtarëve të shkollave fillore, si dhe profesorëve në shkollat e mesme. Kjo, sepse shkollat kanë obligim, që krahas procesit arsimor të ofrojnë dhe shërbime pedagogjike dhe këshillime me psikologun e shkollës që ka të bëjë me kategoritë e ndryshme të fëmijëve, të cilët të cilët nëse mund t`i quaj ashtu, në një pjesë të zhvillimit të tyre janë më ‘problematik’, pa anashkaluar dhe takime në relacionin që përmenda pak më lart me fëmijët, që janë pak më të sjellshëm”.

Por, pedagogët ankohen se prindërit gjejnë mënyra për të shmangur këshillimin në grup, duke ardhur për t`u takuar me kujdestarin e klasës një ditë para ose më vonë vetëm e vetëm që të mos jenë të pranishëm në takimin e caktuar, ku duhet të flitet hapur për problemet e fëmijëve ndërmjet prindërve, arsimtarit dhe psikologut të shkollës.

Kjo mënyrë, sipas pedagogëve po tregon rezultate më të shpejta sa i përket zgjidhjes së problemeve, por njëkohësisht dhe pamundësohet favorizimi i ndonjë fëmije.

Naser Miftari, profesor në Gjimnazin e Shkupit thotë se përmes ligjit nuk mund të rregullohet komunikimi në relacionin nxënës- pedagog- prind, por nevojitet vullnet i mirë nga të tri palët për të bashkëpunuar, duke pasur parasysh që të mos preket egoja e nxënësve, sepse ata janë në një moshë të ndjeshme ku imazhi për ta para të tjerëve, është në plan të parë.

“Çfarëdo vendimi që të merret, nuk duhet para së gjithash të mbahet llogari që të mos cenohet egoja e nxënësit, po edhe prindërit dhe mësimdhënësit, sepse si pasojë e detyrimit, mund të zgjidhet një problem praktik, por në plan afatgjatë ne kemi rrënuar gjendjen shpirtërore të një fëmije duke i bërë publike problemet e tij”, thekson Miftari.

Nga ana tjetër, Teuta Zllatku, mësuese e ciklit të ulët, thekson se përkujdesja emocionale nga institucionet dhe personat profesionalë, duhet të fillojë që nga moshat më të hershme ngase si pasojë e jetës dinamike, me të cilën përballen prindërit për të siguruar ekzistencën, ata shumë pak kanë njohuri për atë pjesë të brendshme të zhvillimit të fëmijëve të tyre.

“Si mësuese e ciklit të ulët, mund të them se fëmijët në këtë moshë janë shumë të ndjeshëm. Me ndryshimet e fundit të të jetuarit të shoqërisë sonë, duhet kushtuar shumë kujdes të veçantë asaj pjesës emocionale të zhvillimit të fëmijëve”, vlerëson Zllatku.

Por, prindërit konsiderojnë se kjo mënyrë e këshillimeve në grup ngushton hapësirën e komunikimit të sinqertë në relacionin prind-nxënës-mësues si pasojë e mentalitetit, por gjithsesi dhe të metave që ka dhe vetë ligji, kryesisht në pjesën që ka të bëjë me ruajtjen e privatësisë së problemit të nxënësit, meqë bëhet fjalë për persona të mitur.


Ndryshe, me ligj parashihet që nëse tri herë nuk i përgjigjen ftesës për të këshilluar në grup për prindërit e fëmijëve “problematik” janë paraparë dënime në të holla.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG