Ndërlidhjet

Dënime me burg për pjesëmarrësit në luftëra jashtë Maqedonisë


Ilustrim
Ilustrim

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime me burg për personat, që në forma të ndryshme përfshihen në operacione luftarake të ndonjë shteti tjetër.

Në nenin 322, pika A, të këtij ligji, që ka pësuar ndryshime rrënjësore thuhet se, “Ai që rekruton, bën thirrje, apo në ndonjë formë tjetër nxit ndonjë shtetas të Maqedonisë që t’i bashkëngjitet ndonjë formacioni ushtarak apo paraushtarak, që organizon stërvitje ushtarake dhe transporton persona të tillë, dënohet nga 1 deri më 5 vjet burg. Autori apo personi që shkel dispozitat e këtij ligji, pra, që merr pjesë në formacione ushtarake në ndonjë shtet ku ka konflikte të armatosura, dënohet me së paku 4 vjet burg”.

Me ndryshimet e Kodit Penal, gjithashtu parashihen dënime me së paku pesë vjet burg për ata persona, të cilët në kundërshtim me ndryshimet e miratuara në mënyrë direkte apo indirekte, ofrojnë mbështetjen e tyre, qoftë në forma organizative apo financiare, përmes fondeve apo pajisjeve të ndryshme për personat e përfshirë në luftërat jashtë vendit.

Dënime deri më 4 vjet burg, parashihen edhe për personat, të cilët në rrjetet sociale nxisin persona të tjerë të kryejnë veprat penale, pjesëmarrje në konfliktet ushtarake jashtë vendit.

“Islamin tim nuk mund ta gjej dot as në Irak e as në Siri, ashtu sikur edhe ortodoksët që nuk mund ta gjejnë vetën në Ukrainë apo Rusi, e as katolikët nuk mund ta gjejnë veten në konfliktet e tyre ndërfetare. Toleranca jonë kombëtare dhe ndërfetare është pasqyra më e mirë e kombit tonë ndër shekuj. Ky ligj sillet pikërisht për të parandaluar ndërhyrje të tilla, pjesëmarrje dhe nxitje për pjesëmarrje në konflikte të huaja ku ne, myslimanë dhe të krishterë, nuk kemi vend“, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Nga ana tjetër, Pavle Trajanov, deputet i koalicionit qeveritar dhe ish -ministër i Punëve të Brendshëm, tha se bëhet fjalë për një problem që po merr përmasa shqetësuese, andaj edhe, sipas tij, nuk duhet pritur shumë nga ndryshimet e miratuara.

Bëhet fjalë për përcaktime fetare të njerëzve, bindje e kështu me radhë, që e ndërlikojnë edhe më shumë problemin. Mendoj se më shumë peshë do të kishin masat parandaluese. Të gjitha shtetet duhet të bëjnë një strategji të përbashkët, pasi besoj se vetëm në këtë mënyrë do të përballemi me këtë fenomen. Duhet të përfshihen të gjithë faktorët, partitë politike, bashkësitë fetare, sektori civil, e kështu me radhë“, u shpreh Trajanov.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë publikuar të dhëna mbi numrin e shtetasve të Maqedonisë që marrin pjesë në luftërat kryesisht në Irak dhe Siri.

Ministrja Gordana Jankullovska tha se strukturat e kësaj ministrie kanë të dhëna operative, por refuzoi të japë të dhëna tjera. Ndryshe, mediat kanë publikuar të dhëna mbi vrasjen e së paku katër personave, shtetas të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, të mërkurën janë publikuar edhe informacione të Prokurorisë së Shqipërisë se në mesin e financuesve të shkuarjes së këtyre personave në Siri, ka edhe shtetas apo kompani nga Maqedonia.

Në debatin për miratimin e këtyre ndryshimeve nuk morën pjesë deputetët e opozitës - LSDM-ja, për shkak të bojkotit të Kuvendit, ndërsa PDSH-ja për shkak të incidentit të fundit mes deputetëve shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG