Ndërlidhjet

Shteti Islamik dhe rrjetet sociale


Mijëra përdorues të mediave sociale janë ekspozuar padashur ndaj imazheve tmerruese të ekzekutimit të gazetarit amerikan, James Foley, nga militantët e Shtetit Islamik, të cilët kanë postuar videon online.

Propaganda e grupit ekstremist ka dy qëllime: të shkaktojë frikë te Perëndimi dhe të frymëzojë radikalët nga e gjithë bota.

Por, prejse videoja është shfaqur më 19 gusht, shumë kompani të mëdha si Twitter dhe YouTube kanë rritur përpjekjet e tyre për të larguar materialet fyese dhe për të bllokuar llogaritë e lidhura me grupet terroriste.

Shteti Islamik, megjithatë, është zhvendosur te rrjete më të decentralizuara sociale, që janë të vështira për t’u rregulluar, si dhe po bën eksperimente me mjete të tjera që janë më pak të njohura për Perëndimin.

“Është bizare të mendohet se për shkak të vështirësive që u ka paraqitur Facebook-u apo Twitter-i, ata të ndalojnë së komunikuari me njëri-tjetrin apo të ndalojnë të përhapin mesazhet e tyre”, thotë Jamie Barlett, autor i librit “Rrjeti i errët”, i cili bën fjalë për komunitetet e fshehura online.

Sipas faqes së lajmeve Vocativ, një forum zyrtar i Shtetit Islamik ka shpalosur një plan pesëpikësh për të luftuar pezullimet e llogarive, i cili përfshin ndërtimin e serverëve të tij dhe ridrejtimin e mbështetësve në platforma të tjera, përveç Twitter-it dhe Facebook-ut. Ai po ashtu sugjeron hakerizmin në kanalet televizive perëndimore.

Rrjeti social Diaspora ka konfirmuar se mbështetës të Shtetit Islamik janë zhvendosur në platformën e tij, pasi Twitter dhe YouTube kanë praktikuar bllokadën.

Faqja jofitimprurëse ka shprehur shqetësim, por ka thënë se largimi i përmbajtjes do të ishte më i vështirë sesa për rrjetet tradicionale sociale.

“Çdokush është në gjendje të përdorë softuerin e Diasporës në secilën mënyrë që do. Nuk mund të parandalojmë askënd nga përdorimi i softuerit”, ka thënë kompania përmes një deklarate.

Në VKontakte, rrjet social që është më i popullarizuar se Facebook-u në Rusi dhe disa vende rusishtfolëse, një llogari e krijuar në fillim të këtij muaji ka nisur të postojë përditësime shumë shpejt pasi videoja e vrasjes së gazetarit Foley është vendosur online.

Përdoruesit e faqes duket se janë me shumicë dërrmuese rusishtfolës dhe shumë prej tyre kanë vënë disa versione të logos së Shtetit Islamik si avatar të tyre.

Njëri nga moderatorët e faqes, i cili e identifikon veten si Seyfulla Adiyev, është aktiv edhe në forume të tjera online dhe duket se poston fotografi direkt nga territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik në Siri dhe Irak.

Shteti Islamik ka rreth 80,000 anëtarë në Irak dhe Siri, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Grupi islamik sunit, i cili tani kontrollon qytete të mëdha të Irakut dhe Sirisë, si dhe kërkon krijimin e Kalifatit Islamik, ka kryer ekzekutime masive kundër myslimanëve shiitë dhe pakicave fetare në territoret që ka pushtuar.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG