Ndërlidhjet

ISIS dhe Al-Nusra


Al -Nusra në Siri, foto nga arkivi
Al -Nusra në Siri, foto nga arkivi

Dikur Al-Qaeda ishte një grup i ngushtë ekstremistësh që kishte një synim të vetëm, kishte një lidership të centralizuar dhe një bazë prej ku lansoheshin operacionet globale.

Me vdekjen e Osama bin Ladenit, por edhe të komanduesve kryesorë të këtij grupi, Al-Qaeda u shpërnda në grupe më të vogla, pa ndonjë qendër kryesore veprimi.

Megjithatë, lufta civile që mbërtheu Sirinë, për të rrënuar pushtetin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, u shfrytëzua si hapësirë fuqizimi për grupet e ndërlidhura me Al-Qaedan, duke e lënë të dobësuar opozitën siriane, të njohur ndërkombëtarisht.

Beteja midis grupeve militante u ashpërsua në fillim të këtij viti. Vetë lideri i Al-Qaedas, Ayman Al-Zawahiri, u bëri thirrje të ndërprenin luftimet mes vete dhe të bashkoheshin rreth një fronti.

Ekspertët perëndimorë kishin tërhequr vërejtjen qysh vitin e kaluar se fraksionet e Al-Qaedas në Siri janë të fuqishme dhe në rritje.

Një prej grupeve të para të militantëve islamikë të krijuara në Siri, ishte Fronti Al-Nusra, fraksion i Al-Qaedas në këtë shtet. Ai u themelua në fillim të vitit 2012 me ndihmën e fraksionit të Al-Qaedas në Irak, të udhëhequr nga Abu Bakr Al-Baghdadi.

Al-Qaeda në Irak tash është transformuar dhe njihet si ISIS, Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit.

ISIS ka shpallur zyrtarisht krijimin e një “kalifati” të ri, ose të një shteti islamik, në territoret që ka pushtuar në Irak dhe Siri dhe për “kalif” ka shpallur pikërisht al-Baghdadin.

ISIS në fakt ka ekzistuar si grup i organizuar që nga viti 2004, me emra të ndryshëm, por emrin që ka sot e mban nga muaji prill i vitit 2013.

ISIL apo ISIS?

ISIS dhe Al-Nusra njihen si organizata të shpallura ndërkombëtarisht terroriste.

Që të dyja - të ndara dhe tani në luftë të ashpër mes vete - ndjekin një idelogji ekstreme anti-perëndimore, promovojnë dhunë fetare e gjinore dhe i shohin ata që nuk pajtohen me idetë e tyre si të pafe.

Kjo ka nxitur edhe Shtetet e Bashkuara që së fundmi të nisin një fushatë bombardimesh ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik në Irak, për të ndihmuar popullatën vendëse atje.

Ushtria amerikane është tërhequr nga Iraku në vitin 2011, pas një pranie pothuajse 10 vjeçare atje.

Ndryshe, të hënën policia e Kosovës ka arrestuar 40 persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, pas bastisjeve të kryera në 60 lokacione. Këta persona, sipas Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, dyshohet se ishin vënë përkrah organizatave të shpallura terroriste si ISIS dhe Al Nusra.

Personat e arrestuar, sipas Policisë, dyshohet se kanë kryer veprën penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme sipas Kodit Penal. (a.v.)

ISIL në rrugët e Sirisë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:11 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG