Ndërlidhjet

Kur do të zbatohet Ligji për sigurime shëndetësore?


Ilustrim@Shutterstock
Ilustrim@Shutterstock

Viti 2015 do të jetë vit kur qytetarët e Kosovës do ta kenë kartelën e sigurimeve shëndetësore, ka thënë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Ferid Agani, në muajin maj të këtij viti. Ky ligj tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Por, tash ekspertë të shëndetësisë realitetin e shohin ndryshe.

Me datën 7 maj të këtij viti, me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte marrë vendim që ta shpërndajë vetveten.

Me këtë vendim, Kuvendi vendosi që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Andaj, vakuumi institucional, sipas profesionistëve shëndetësorë, me siguri se do të ndikojë në shtyrjen e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.

Haxhi Avdyli, neurokirurg, njëherësh ekspert për shëndetësi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se reforma në shëndetësi është shumë e nevojshme për përmirësimin e kushteve në këtë sektor. Pavarësisht faktit se më shumë se 10 vjet po punohet për reformën në shëndetësi, një gjë e tillë në praktikë nuk po shihet.

“Përmes fondit për sigurime, njerëzit do të japin të ardhurat e tyre në mënyrë që të shfrytëzohen në kohën kur u duhen. Por, shteti ynë nuk ka krijuar mekanizma dhe ne nuk po shohim që kjo reformë do të fillojë suksesshëm në një kohë të afërt. Kjo na bën pesimistë”.

"Shëndetësia është e kushtueshme dhe për t’i përmirësuar kushtet kërkohen të ardhura shtesë, e kjo mund të bëhet vetëm përmes fondit të sigurimeve shëndetësore”, thotë Avdyli.

Ai shton se gjithmonë kanë qenë skeptik se Ligji për sigurime shëndetësore do të fillojë të zbatohet vitin e ardhshëm, për shkak se, siç shprehet ai, nuk ka pasur përkrahje të duhur, si institucionale e po ashtu as të shoqërisë, në përgjithësi.

“Ne, vazhdimisht, si opozitë dhe si profesionistë shëndetësorë e kemi cekur se kjo reformë nuk është duke e bërë infrastrukturën e nevojshme për sigurime shëndetësore dhe kemi shprehur skepticizëm që kjo reformë do të realizohet në kohën e duhur”.

“Mendoj se kërkohet një përkrahje e madhe e gjithë shoqërisë, institucioneve dhe ne këtë nuk e kemi hasur. Është bërë një reformë legjislative është punuar, por ne kemi shprehur dyshimin si çdo herë, pasi që në Kosovë ka ligje, por implementimi do të vonohet, dhe kjo edhe po ndodh . Në bazë të ecurisë që kemi sot, jemi skeptikë që pacientët tanë do të kenë burime shtesë nga ky fond”, shpjegon Avdyli.

Në anën tjetër, Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, konsideron se Ligji për sigurime shëndetësore, si edhe asnjë ligj tjetër, nuk do të duhej të ishin pre e politikave ditore dhe të shtyhen sa herë që ka vakum institucional.

“Me siguri se vakuumi institucional e ka bërë të veten. Brengat tona që i kemi paraqitur për shkak të mekanizmave kontrollues kështu edhe ka ndodhur kjo. Por, po pëson poullata. Një ligj, i cili është aprovuar është dashur të implementohet pavarësisht rrjedhave politike. Kjo do të shkojë në dëm të shëndetësisë. Ligji është punuar, është votuar dhe ëshët dashur të nisë. Pse ka ardhur te kjo shtyrje, është pak e çuditshme”.

“Ne nuk guxojmë të jemi pre e politikave ditore. Pse duhet të pritet që të formohet një qeveri e re? Çka nëse kërkohet edhe amandamentim, atëherë rrezikohet që të shtyhet edhe dy apo tre vjet tjera?! Pra, ne nuk po jemi në gjendje ta miratojmë një ligj që është fuqial për shëndetësinë e Kosovës”, thekson Syla.

Ndryshe, Arsim Çavdërbasha, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Financimit Shëndetësor, pati bërë të ditur se në ligj është paraparë që kategoritë e qytetarëve që janë të liruar nga pagesa e premiumit, por që do të kenë mundësi të shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore pa pagesë, do të jenë familjet e varfra me asistencë sociale, të burgosurit, qytetarët që jetojnë në institucionet nën përkujdesje të shtetit, pra fëmijët, personat me nevoja të veçanta, pleqtë, invalidët e luftës.

Gjithashtu në këtë kategori përfshihen edhe fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta të strehuar në shtëpitë për persona të moshuar, si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet.

Sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ky ligj, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajë edhe punëdhënësi.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurove për anëtar të familjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG