Mungesa e një qeverisjeje të qëndrueshme në Kosovë, që nga muajt e parë të këtij viti, si dhe moskonstituimi i institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në muajin qershor, do të kenë reflektim negativ në proceset integruese evropiane të vendit, vlerësojnë njohësit e këtyre proceseve.
Emrush Ujkani, njohës i së drejtës së Bashkimit Evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se zhvillimet aktuale në skenën politike në Kosovë, do të prodhojnë efekte negative përballë procesit të integrimeve, duke pasur parasysh që Kosova është shtet i ri dhe me përvojë të shkurtër në agjendën evropiane, në raport me vendet tjera të Ballkanit perëndimor.
Ujkani thotë se periudha e tanishme do të identifikohet në raportin e progresit të Komisionit Evropian, që do të publikohet në tetor të këtij viti.
“Unë jam shumë i sigurt që BE-ja, përmes Komisionit Evropian, respektivisht përmes këtij raporti, do ta bëjë shumë të qartë që në Kosovë ka pasur një mungesë të aktivitetit politik. Kjo do të mbetet një njollë që do të identifikohet me kriterin politik, i cili ka stagnuar edhe me vetëqeverisjen gjatë fundit të legjislaturës të kaluar”.
“Por, shumë ndikuese do të jetë periudha nga 8 qershori e këndej, kur në Kosovë, realisht, ashtu siç po shihet, është shumë e vështirë për të krijuar institucione nga zgjedhjet e dala të këtij viti”, thotë Ujkani.
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se moskonstituimi i institucioneve deri më tash, ka ndikuar negativisht në dinamikën e procesit të integrimeve evropiane të Kosovë.
“Nuk shohim kurrfarë dinamike. Janë disa procese të rëndësishme që janë filluar një kohë të gjatë, por këtë vit, thjesht, nuk ka kurrfarë progresi të prekshëm. Andaj, pa pikë dyshimi që në shumë aspekte, qoftë në integrime evropiane, qoftë në reforma në drejtësi, në zhvillim ekonomik, në gjenerim të punësimit, ky vakum po i kushton jashtëzakonisht tepër qytetarit të Kosovës. Kjo është një kohë e humbur për Kosovën”, konsideron Muharremi.
Pasojë negative e mosfunksionalizimit të institucioneve, sipas Ujkanit, nuk do të jetë vetëm identifikimi i kriterit politik nga Komisioni Evropian, por, gjithashtu, edhe krijimi i jo koherencës ndërmjet politikave të Kosovës dhe agjendës evropiane.
“Në të njëjtën kohë, kjo mungesë e institucioneve do të pamundësojë që Kosova t’i shtyjë përpara agjendat ose politikat e veta në raport me agjendën evropiane. Do të thotë, do të ketë, me siguri, një përkushtim shumë më të vogël, për faktin se nuk do të ketë lidership për t’u qëndruar gati këtyre gjërave. Prandaj, mendoj se efekti i përgjithshëm është shumë i madh, në kuptimin negativ dhe kjo mungesë e institucioneve do të lërë gjurmë të pashlyeshme - jam shumë i sigurt - në të gjitha proceset integruese të Kosovës”, thekson Ujkani.
Ndërkaq, Muharremi shpreh mendimin se në qoftë se Kosova ende vazhdon të mos i bëjë funksionale institucionet, do ta betonojë përshtypjen se nuk është seriozisht e interesuar për integrime.
“Për integrime, sa i përket Brukselit, ata i kanë zgjedhur këto probleme. Kjo tashmë është punë e jona e brendshme. Ne po vazhdojmë të dërgojmë sinjale që agjenda evropiane nuk është prioritet për ne”.
“Ne po dërgojmë sinjale që pushteti dhe kontrolli mbi resurse publike, është prioriteti ynë dhe interesi më fundamental i disave me ndikim dhe se integrimet evropiane, thjesht, janë aty sa për të qenë dhe për të pretenduar se ne jemi serioz për t’i ndërmarrë reformat evropiane, të cilat kanë për qëllim që ta transformojnë pozitivisht Kosovën dhe Kosova ta zë hapin me vendet tjera të rajonit”, shprehet Muharremi.
Të dy këta njohës të integrimeve evropiane vlerësojnë se situata, e cila ka imponuar mungesën e funksionalizimit të institucioneve, e që ndikon edhe në dinamikën e procesit të integrimeve evropiane, është produkt i luftës joparimore, ndërmjet partive politike, për pushtet.