Ndërlidhjet

Ndryshon perceptimi për perspektivën evropiane


Kosovarët për dallim nga katër vjetët e kaluara, gjatë këtij viti, kanë ndryshuar perceptimin e tyre, kur bëhet fjalë për perspektiven e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Në një hulumtim që e ka bërë kompania UBO Consulting, e kontraktuar nga Projekti për Perspektivën Evropiane të Kosovës dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, thuhet se qytetarët kosovarë, janë pak optimistë që Kosova shpejt do të jetë pjesë e BE-së.

Uliks Osmani, që është drejtori ekzekutiv i UBO Consulting, prezantoi hulumtimin dhe tha se qytetarët kanë qenë dhe janë mbështetës të integrimeve evropiane, por tash, sipas tij, kanë kuptuar se për të qenë pjesë e kësaj organizate duhet të plotësohen disa kushte.

“Kosovarët kanë qenë shumë mbështetës të BE-së si koncept, mirëpo në hulumtimin e fundit që është bërë tash në 2014, ka qenë një farë korrektimi i kësaj dashurie platonike apo një koncepti që kosovarët kanë qenë shumë optimist. Tash shihet një moderim i qasjes se tyre apo mbështetjes së procesit”, tha Osmani.

Ai ka sqaruar se humbja e optimizmit për integrime më të shpejta mund te ketë ardhur për dy arsye.

E para është me siguri që bisedimet që kanë ndodhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, ku Kosova është dashur t’i bëjë disa koncesione që ndoshta nuk kanë qenë shumë të preferuara; dhe e dyta, mendojmë që kosovarët kanë arritur të ngrijnë vetëdijen rreth BE-së dhe procesit të integrimit”, tha Osmani.

Ndryshe, sipas hulumtimit, 82% e të anketuarve kanë deklaruare se për Kosovën është shumë e rëndësishëm që të forcojë lidhjen me Bashkimin Evropian.

Kurse, sa i takon pyetjes se nëse Kosova do të ishte pjesë e BE-së, cilat kategori të shoqërisë do të përftonin më shumë, përgjigjet e shumicës së të anketuarve kanë thënë se ata që njohin gjuhen të huaj, (77%) të rinjtë (76%) dhe fermerët (62%) do të përfitonin më së shumti.

Nga ana tjetër, Emrush Ujkani, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, derisa ka folur për hulumtimin, tha se institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Integrimit, duhet të punojë më shumë për t’iu ofruar informata qytetarëve rreth BE-së dhe agjendës evropiane.

“Me disa iniciativa shumë të vogla, qytetari mund të marrë një informatë shumë më korrektet dhe shumë më të saktë sa i takon proceseve integruese. Definitivisht është shumë e nevojshme që Ministria për Integrime Evropiane, e cila, kur Kosova të jetë në BE, natyrisht nuk ka nevojë që të ekzistojë tutje, por në këtë fazë në një nder rolet e veta primare duhet ta ketë komunikimin e saktë me qytetarët e Kosovës”, tha Ujkani.

Ujkani ka theksuar se Kosova deri te integrimi i saj në Bashkimin Evropian, ka punë për të bërë.

Ai ka përmendur shkallen e larë të korrupsionit, mosfunksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë si dhe moszbatimin e ligjeve.

Sipas tij, pa një integrim të brendshëm, nuk mund të ketë as integrime tjera në rrafshin ndërkombëtar.

“Duhet një integrim, një zhvillim i brendshëm dhe ky proces duhet të kuptohet si tillë. Një përqindje e madhe e qytetarëve mendojnë dhe admirojnë proceset integruese duke u nisur nga ajo se nesër mund të jenë në BE dhe të marrin 'plaçkat' dhe të largohen nga këtu. Jo, unë mendoj se qytetarëve tanë duhet ju ofrohet një alternative që ata të jenë këtu”, tha Ujkani.

Sido që të jetë, në konkluzionet e hulumtimit "Vetëdijesimi për BE-në dhe Integrimet Evropiane në mesin e banorëve kosovarë", thuhet se “banorët e Kosovës, janë gjithnjë e më entuziastë për Bashkimin Evropian, janë të interesuar në informacion në lidhje me të, e vlerësojnë mbështetjen e saj dhe e konsiderojnë BE-në si një institucion dashamirës”.

Numri i atyre të cilët besojnë se Kosova duhet të bëhet anëtare e BE-së është rritur vazhdimisht, edhe pse koha për t'u anëtarësuar është afruar nga dëshira për të qenë pjesë e BE-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG