Pas shqyrtimit të kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014, Gjykata Kushtetuese e konsideron si jokushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit në seancën e 17 korrikut.
Këtë e ka bërë të njohur Gjykata Kushtetuese, përmes një njoftimi të parë, që është bërë publik në faqen zyrtare të kësaj gjykate.
Në njoftim thuhet se Gjykata Kushtetuese me shumicë votash ka konstatuar që “mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstitutive, më 17 korrik 2014, nga kryesuesja, për shkak të mungesës së kuorumit, 83 deputetë kanë shkelur Kushtetutën, duke vazhduar mbledhjen.
Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, konsideron se vendimi për zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës “është jokushtetues, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga procedura e ndjekur”, sepse siç thuhet në njoftim, “nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi kryetarin e Kuvendit”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ditën e premte, thotë se seanca konstituive e kuvendit nuk është realizuar plotësisht dhe “Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstitutive duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët”.
Ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, e cila përmes një komunikate për media ka theksuar se e mirëpret këtë vendim.
Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson këtë vendim “si një akt të vendosjes së kushtetutshmërisë në vend dhe si një tregues të fuqishëm se vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur në zgjedhjet e përgjithshme të datës 8 Qershor, është suprem dhe i patjetërsueshëm”.
Më tutje, në komunikatën e saj PDK u bën thirrje “të gjitha palëve që ta respektojnë këtë vendim meritor, në mënyrë që t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, si prijëse e proceseve shtetformuese në Republikën e Kosovës, do të punojë intensivisht që sa më shpejtë të formohen institucionet e reja në Kosovë, në përputhje me mandatin që ka marrë nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Megjithatë, në një kumtesë për media, blloku i partive: Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kanë theksuar se ky koalicion “e ka marrë në konsideratë njoftimin për media nga Gjykata Kushtetuese dhe është në pritje të publikimit të tekstit përfundimtar”.
Ky bllok është përmbajtur nga komentet e shumta, por pavarësisht shpalljes së pavlefshme të zgjedhjes së Isa Mustafës për kryeparlamentar, ka shfaqur shpresën se në tekstin përfundimtar, të kompletuar, të Gjykatës Kushtetuese, do të sqarohet se vendimi është në favor të bllokut.
“Blloku është i bindur që e drejta për kandidim i është njohur koalicionit dhe në këtë mënyrë është hapur dera e vetme për krijim të institucioneve të reja”, thuhet në komunikatën për medi të bllokut LDK – AAK-Nisma.
Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të ndikojë në planifikimet politike të partive të bllokut LDK – AAK - Nisma, për faktin se, sipas tyre, në bazë të vendimit të Gjykatës, posti i kryeparlamentarit do t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës.
Analisti i çështjeve politike, Shpend Kursani, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë dy situata që mund të krijohen në skenën politike në Kosovë.
“E para është që të shkohet edhe një herë në zgjedhje, në rast se blloku nuk thyhet, sepse kandidati i PDK-së për kryeparlamentar nuk mund të votohet në rast se blloku nuk thyhet”.
“Dhe e dyta, është se kjo tash i fut në stres edhe palët e komunitetit ndërkombëtar me interes në Kosovë, të cilët potencialisht, tash do të mund t’i fusin duart dhe të ndikojnë, potencialisht, në prishjen e bllokut, në mënyrë që PDK-ja të futet në koalicionin e ardhshëm qeverisës. Pra, këto janë vetëm gjasa dhe nuk them se do të bëhet kështu. Por, këtu tash rriten gjasat që komuniteti të përzihet dhe ky vendim i Gjykatës i komplikon gjërat”, vlerëson Kursani.
Ndryshe, kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, u parashtrua në Gjykatën Kushtetuese më 18 korrik 2014, nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.