Ndërlidhjet

Ballafaquan argumentet, tash presin Kushtetuesen


Ilustrim©Shutterstock
Ilustrim©Shutterstock

Në Gjykatën Kushtetuese të enjten është zhvilluar seanca dëgjimore në lidhje procedurat e ndjekura në seancën konstituive të 17 korrikut për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa për të interpretuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ishte parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës e cila pretendon se vendimi ishte marrë duke shkelur procedurat kushtetuese.

Në bazë të asaj kërkesë më pas edhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kishin kërkuar që të ketë edhe një seancë dëgjimore për parashtrimin e argumenteve nga të dyja palët.

Kërkesa e PDK-së kundërshton zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit në seancën konstituive të 17 korrikut, duke e cilësuar atë si anti-kushtetuese.

Ndërkohë që blloku i partive të koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma pretendon se zgjedhja e Mustafës ishte kushtetuese. Seanca dëgjimore është udhëhequr nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

PDK në këtë seancë është përfaqësuar nga deputeti Arsim Bajrami, kurse blloku LDK, AAK dhe Nisma nga deputetja Vjosa Osmani.

Në prezantimin e argumenteve të Partisë Demokratike, deputeti Arsim Bajrami ka thënë se zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese.

Sipas tij, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, subjekti më i madh parlamentar është Partia Demokratike e Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të njihet edhe si grupi më i madh parlamentar me çka do të merrte me automatizëm të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit.

"Ne kërkojmë që Gjykata Kushtetuese ta shpallë jo kushtetues vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si për kah procedurat e ndjekura ashtu edhe për kah përmbajtja për faktin se ky vendim është nxjerrë në bazë të prezuncionin (supozimin) e gabuar kushtetues për grupin më të madh parlamentar. Kërkesa jonë e dytë është që Gjykata Kushtetuese të konstatoj që Grupi më i madh parlamentar në konstituive është ai i Partisë Demokratike të Kosovës me 37 deputetë", ka thënë Bajrami.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, Vjosa Osmani ka thënë se zgjedhja e Mustafës ishte kushtetuese dhe se këtë vendim duhet ta njoh edhe Kushtetuesja në vendimin përfundimtar.

Osmani ka thënë po ashtu se Grupi më i madh parlamentar është ai i partive LDK, AAK dhe Nisma dhe jo ai i PDK-së.

"Kërkojmë nga kjo Gjykatë e nderuar që kërkesa e deputetëve të PDK-së është e papranueshme sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe nën dy, si alternativë dhe vetëm e vetëm nëse kjo Gjykatë vendos ta shpallë kërkesën të papranueshme atëherë kërkojmë nga Gjykata të vendos që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ishte në përputhje me Kushtetutën", ka deklaruar Osmani.

Në këtë seancë, kanë prezantuar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe ish-deputeti i AAK-së, Ardian Gjini të cilët kanë kundërshtuar pretendimet e PDK-së.

Seanca është përshkuar edhe me fjalime politike për çka kryesuesi u ka tërhequr palëve vërejtjet në disa raste. Nyja e zgjidhjes së çështjes së kryetarit të Kuvendit mbetet përcaktimi se kush e përbën grupin më të madh parlamentar.

PDK si fituese e zgjedhjeve apo koalicioni pas zgjedhor i LDK-së, AAK-së dhe partisë Nisma. Nëse kjo çështje do të sqarohet nga Kushtetuesja mund të pritet që të tejkalohet bllokimi i formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Sipas procedurave, pas seancës dëgjimore, paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të vazhdoj konsultimin e brendshëm deri në marrjen e vendimit me anë të votimit të fshehtë.

Ky vendim, sipas afatit ligjor mund të merret deri më 18 shtator, ndonëse pritjet e partive politike janë që vendimi të merret më herët për shkak të vakuumit institucional në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG