Ndërlidhjet

Maqedoni: Konkursi për postet udhëheqëse, me shumë paqartësi


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se është shumë i madh interesimi i qytetarëve për konkursin publik, nëpërmjet të cilit synohet të bëhet përzgjedhja e 379 funksionarëve të lartë shtetërorë, drejtuesit e institucioneve, sekretariateve, agjencive shtetërore, postet në këshillat drejtues të institucioneve publike si dhe përfaqësive diplomatike.

Vetë kreu i Qeverisë, Nikolla Gruevski, është shprehur se përmes kësaj iniciative, e cila për herë të dytë zbatohet në Maqedoni, synohet angazhimi i kuadrove më të përgatitura në aspektin profesional, me atë që shmanget mundësia që anëtarët partiakë të jenë më të privilegjuar gjatë punësimit apo marrjes së posteve udhëheqëse.

Por, analistët politikë theksojnë se kjo iniciativë mund të rezultojë me sukses vetëm nëse gjatë përzgjedhjes së kandidatëve shmanget plotësisht influenca politike, gjegjësisht garantohet një proces transparent.

Ibrahim Memeti, nga shoqëria civile, shpreh dilemat sa ky konkurs bie ndesh me Ligjin për nëpunësit shtetëror, përkatësisht ngritjen në poste udhëheqëse sipas sistemit të karrierës.

“Është më se e qartë se përmes kritereve të një konkursi, për bazë merret nëse dikush e ka të përfunduar arsimin e lartë dhe disponon me një certifikatë në bazë të se cilës vërtetohet se njeh dhe një gjuhë të huaj e cila kërkohet konform konkursit kjo nuk do të thotë se ai person do të mund t`u përgjigjet edhe detyrave, të cilat kërkohen për të qenë pjesë e stafit diplomatik ose vetë ambasadori. Nëse e shohim se si funksionon diplomacia e Maqedonisë, do të bindemi se me këto kritere ka pak hapësirë për të shpresuar se diçka do të ndryshohet në të mirë për Maqedoninë”, thotë Ibrahimi.

Nga ana tjetër, Marija Ristevska nga Qendra për Kërkime dhe Krijimin e Politikave vlerëson se politikëbërja në asnjë mënyrë nuk duhet shikuar thjesht si vend pune, me një orar të caktuar nga tetë e mëngjesit deri në ora gjashtëmbëdhjetë, ngase pozitat udhëheqëse të institucioneve shtetërore janë komplekse dhe si të tilla, ato duhet trajtuar.

“Për momentin, kemi një sistem hibrid të metodave gjatë qeverisjes me sektorin publik, metoda këto që nuk janë kompatibile, në më shumë raste me sistemin aktual të qeverisjes së administratës publike. Në këtë mënyrë, paraqitet dhe një rrezik - ata kandidatë, të cilët kanë shënuar rezultate në punë dhe janë avancuar sipas sistemit të karrierës, të mbeten anash”, thekson Ristevka.

Ndërkohë, sipas Ibrahim Memetit, në konkurs paraqet problem dhe përfaqësimi i drejtë dh adekuat i shqiptarëve në institucionet e sistemit, meqë në kriteret e përcaktuara në konkurs, nuk garantohet balanca sa i përket përfaqësimit etnik gjatë përzgjedhjes së kandidatëve.

“Ne edhe ashtu kemi shumë probleme sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve - qoftë në diplomaci ose institucionet e tjera dhe në këtë mënyrë mund të shkaktohet edhe një problem, i cili do të ketë pasoja afatgjate nëse vazhdon të trajtohet në këtë mënyrë siç ka filluar të trajtohet”, thotë Ibrahimi.

Por, përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë i kanë ftuar qytetarët shqiptarë për të konkurruar në konkurset e hapura për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve dhe përfaqësive diplomatike, duke u zotuar se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve, komisioni i ekspertëve do të mbajë llogari dhe për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore konform Marrëveshjes së Ohrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG