Ndërlidhjet

Stërngarkohet admnistrata me punësime të reja


Maqedoni...
Maqedoni...
Dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Maqedoni janë hapur disa qindra vende të reja pune në institucionet shtetërore për administratorë. Autoritetet zyrtare thonë se gjatë punësimeve të reja respektohen tërësisht proceduarat ligjore.

Por ekspertët vlerësojnë se zgjedhjet stërngarkojnë administratën me ushtarë partiakë për të sjellë vota.

Komisioni Shtetëror për Anti-korrupsion ka kërkuar që të ndërpriten të gjitha punësimet në administratën shtetërore si në pushtetin vendor, ashtu dhe atë qendror, deri në përfundimin e zgjedhjeve vendore si masë për të penguar influentimin e politikës gjatë punësimeve.

"Në lidhje me numrin e rritur të shpalljeve për punësime në nivel qendror dhe lokal, vlerësojmë se bëhet fjalë për aktivitete të vendosura në kontekst të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe për këtë shkak kërkojmë që institucionet shtetërore - shpallësit në nivel qendror dhe lokalë, t'i ndërpresin të gjitha veprimtaritë e mëtutjeshme në lidhje me shpalljet e publikuara për punësim, deri në përfundimin e procesit zgjedhor respektivisht me konstituimin e organeve të reja të zgjedhura”, theksohet në komunikatën për media të komisionit Shtetëror për Anti Korrupsion.

Ndërkohë, Sekretariati për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit ka hapur konkurs për punësimin e 260 administratorëve shtetërorë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë Muhamet Hoxha thotë se konkursi për administratorët e rinjë është hapur para se të shpallen zgjedhjet dhe njëkohësisht janë respektuar të gjitha proceduarat ligjore, andaj siç thekson ai, nuk ka vend aspak për të dyshuar se punësimet e reja do të keqpërdoren për motive politike gjatë garës zgjedhore për kryetarë komune.

Më duhet të theksoj se Qeveria e Maqedonisë po edhe të gjitha institucionet tjera shtetërore respektojnë proceduarat ligjore për punësim të nëpunësve në administratën shtetërore. Nëse bisedojmë për konkursin e fundit të shpallur nga sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit më duhet të theksoj se vendet e reja të punës janë hapur para se të shpallet data e mbajtjes së zgjedhjeve vendore 2013”.

Shpallja e fundit për pranimin e 260 administratorëve të rinj për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë është bërë në bazë të programit për implementimin e kësaj shtylle të dokumentit të Ohrit që mbetet prioritet për qeverinë e Maqedonisë, ndërkohë që punësimet në bazë të këtij programi nuk janë ngrirë me masat antikrizë”, nënvizon Hoxha.

Por Temellko Ristovski, ekspert, thotë se praktika e deritanishme ka dëshmuar se para zgjedhjeve gjithmonë është stërngarkuar pa nevojë administrata me punonjës të rinj, të cilët nuk përmbushin kriteret profesionale por përzgjedhja bëhet sipas kapacitetit të akumulimit të votave në zona të caktuara

Pa dyshim që krijohet mundësi që punësimet e reja të paraqesin potencial shtesë në mbështetje të partive në pushtet, madje në këtë kohë kur dhe rekomandimet e KE janë se administrata shtetërore duhet të zbarkohet në sektorë të caktuar”, thekson Temellko Ristovski.

Edhe Hasan Jashari, ligjërues nga UEJL në Tetovë, thotë se punësimet dy ose tre muaj para dhe pas zgjedhjeve paraqesin trysni për administratorët që presin avancim sipas sistemit meritorë ashtu edhe për gjeneratat më të reja që synojnë një vend pune.

Ndonëse mund të mos ketë shkelje ligjore me atë që konkursi është hapur disa ditë para shpalljes së mbajtjes së zgjedhjeve, mirëpo çdo aktivitet tjetër, siç është marrja në intervistë për punësim gjatë kësaj periudhe, apo kushtëzimi i aktivistëve të mbledhin vota në një far forme të jenë të kyçur në aktivitete partiake paraqet trysni mbi elektoratin, njëkohësisht devalvohet profesionaliteti i punonjësve të administratës si dhe në formë të drejtpërdrejtë vendoset në disavantazh opozita”, shprehet Jashari.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG