Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Maqedoni: Bojkoti i opozitës, thellon krizën


Parlamentii Maqedonisë
Parlamentii Maqedonisë
Analistët politikë vlerësojnë se vendimi i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, që të bojkotojë zgjedhjet lokale, të cilat duhet të shpallen javën e ardhshme, do ta shtyjë Maqedoninë në krizë edhe më të thellë politike.

“Mendoj se nëse LSDM-ja i bojkoton zgjedhjet vendore të parapara për muajin mars , atëherë në Maqedoni do të kemi një krizë edhe më të thellë politike, e cila mund të sjellë shumë paqartësi në të ardhmen”, shprehet Sadik Emroja, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Edhe politologu maqedonas, Zdravko Savevski, konsideron se pavarësisht se vendimi i opozitës maqedonase për të bojkotuar zgjedhjet është më se i arsyeshëm pas zhvillimeve të fundit në Parlament, sipas tij, ky vendim nuk duhet të jetë përfundimtar dhe i pandryshueshëm.

“Ky qëndrim nuk duhet të jetë përfundimtar, sepse nëse sigurohen kushte për përmirësimin e klimës demokratike në vend, duhet lënë hapësirë që ky vendim i marrë nga LSDM-ja të ndryshohet”, thotë Savevski, duke shtuar se në këtë situatë, rol shumë të rëndësishëm mund të luajë ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar.

“Nëse sigurohet një monitorim i theksuar i faktorit ndërkombëtar për të përcjellë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për këtë pajtohen partitë, të cilat janë pjesë e Qeverisë dhe ata të opozitës, dhe vlerësimet e tyre për rregullshmërinë e zgjedhjeve, atëherë kjo paraqet një garanci shumë të rëndësishme që opozita të marrë pjesë në zgjedhjet vendore që duhet të mbahen në mars të këtij viti”, potencon Savevski.

Ndryshe, fronti opozitar i udhëhequr nga LSDM-ja, nga dita e mërkurë ka vazhduar aktivitetet e organizimit të protestave në të gjitha qytetet e Maqedonisë.

Krerët e LSDM-së kanë sqaruar se në shumë qytete të vendit do të mbahen takime të hapura kuvendore qytetare, ku do të flitet për të vërtetën.

“Parlamenti rrugor”, siç i ka emëruar opozita protestat, nuk paraqet rrugën që shpie kah zgjidhja e problemeve, konsideron Sadik Emroja.

“Për momentin, partia maqedonase në opozitë vazhdon ‘parlamentin rrugor’, dhe ajo aty e gjen vetveten për të shprehur revoltën lidhur me zhvillimet e fundit siç është dëbimi me dhunë nga Parlamenti i deputetëve të opozitës maqedonase, kështu që në këtë formë mundohet të përfitojë masën duke bojkotuar edhe zgjedhjet, por përsëri e them se kjo do ta çojë vendin në një kaos të thellë, si politik, ashtu edhe ekonomik”, thekson Emroja.

Ndryshe, nënkryetari i LSDM-së të mërkurën kumtoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Nga kjo parti njoftuan se të gjitha kërkesat e tyre të ndërlidhura me zgjedhjet pas 24 dhjetorit, kanë rënë në ujë, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj deputetëve opozitarë ditën që u miratua buxheti i shtetit, me ç’rast u nxorën nga salla e Kuvendit.

Sipas nënkryetarit të LSDM-së, Gordan Georgiev, është e qartë tashmë se Qeveria aktuale nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG