Ndërlidhjet

2012, vit i sukesshëm apo i dështuar?


Maqedioni...
Maqedioni...
Partitë politike, varësisht nga pozicioni i tyre, vitin që shkoi e vlerësojnë të suksesshëm, përkatësisht të dështuar.

Lideri i BDI-së në pushtet, Ali Ahmeti, ka thënë se përkundër sfidave të ndryshme, gjatë vitit 2012 janë shënuar rezultate të mira si në planin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu edhe në procesin e integrimit, pavarësisht se nuk u arrit marrja e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Për dallim nga Ahmeti, kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, ka thënë se viti 2012 ka qenë i dështuar ndërsa nga BDI-ja sërish ka kërkuar të braktisë qeverinë për shkak të pozicionit të pafavorshëm të shqiptarëve.

Dy partitë, edhe për këtë vit janë deklaruar me pozicione të ndryshme, opozita se do të bëhet edhe më keq, kurse pushteti me doza më të larta optimiste për të ardhmen.

Ngjashëm janë deklaruar edhe partitë maqedonase.

Të gjitha vlerësimet i kanë përqendruar në zhvillimet në Kuvend, duke akuzuar njëra tjetrën për suspendimin e demokracisë, përkatësisht për tentim që me dhunë të rrënojnë institucionet e zgjedhura në rrugë legjitime.

Veç partive politike, edhe analistët japin vlerësime të ndryshme për atë që ka ndodhur vitin e kaluar, apo që e pret Maqedoninë këtë vit.

Analisti, Xhelal Neziri thotë se viti 2012 ishte më tepër një vit i kamufluar me teknika propagandistike, se gjoja ishte vit i suksesshëm për Maqedoninë, por, realiteti, sipas tij, dëshmon krejt të kundërtën.

Institucionet në Maqedoni dita ditës po dobësohen dhe po partizohen, intervenimi i policisë në Kuvend dhe sulmi që u ndodhi deputetëve të cilët janë votuar dhe përfaqësojnë mijëra qytetarë, nënkupton se demokracia është suspenduar kurse institucionet janë partizuar. Se sa do të zgjas kjo, është vështirë të parashikohet dhe aq më shumë të jesh optimist se do të jetë një vit më i qetë”, thotë analisti Xhelal Neziri.

Duke folur për pozicionin e partive shqiptare, ai konsideron se ato nuk kanë strategji të veprimit siç kanë partitë maqedonase.

Dëshmi për këtë, sipas tij, është heshtja e tyre ndaj sjelljes së imponuar të buxhetit dhe largimit me forcë të deputetëve të opozitës maqedonase nga salla e Kuvendit.

Në rastin konkret kemi një distancim nga reagimi i LSDM-së ndaj asaj që ndodhi në Kuvend dhe miratimit të imponuar të buxhetit. Pra, në një situatë kur partitë shqiptare nuk kanë koncept dhe strategji afatgjate, ato njëkohësisht nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ndonjë strategjie të ndonjë partie maqedonase. Kështu që kemi një lloj të funksionimit të partive shqiptare, sot për nesër”, thotë ai.

Por,Vlladimir Boxhinovski, nga Instituti për demokraci, mendon ndryshe nga Neziri.

Ai pajtohet se Maqedonia ndodhet në krizë politike, por për këtë fajëson në radhë të parë partitë opozitare të cilat siç thekson, nuk zgjedhin metoda për të krijuar situata konfliktuoze me qëllim ardhjen në pushtet.

Boxhinovski nuk pret zgjidhje të krizës politike apo nisjen e dialogut për kapërcimin e dallimeve.

Si mund të presim çfarëdo qoftë dialogu kur tjetri tenton me të gjitha mënyrat të imponojë krizën politike. Gjithçka ishte e planifikuar mirë, kështu që nuk mund presin asgjë nga takimi eventual i liderëve nëse dikush punon për krijimin e problemeve” thotë Bozhinovski.

Sipas tij, kriza është nxituar qëllimisht nga Branko Cërvenkovski për mbijetesën e tij në politikë.

Cërvenkovskit për momentin nuk i konvenonte kontinuiteti i politikës në Maqedoni për shkak të disfatës që e pret në zgjedhjet lokale të marsit pasi nëse do të vazhdonte kontinuitetit i tanishëm zgjedhjet lokale do ti humbte dhe ai do të detyrohej të jepte dorëheqje”.

Pikërisht me fjalimin e tij në tubimin para barrikadave kur tha se nuk do të tërhiqet derisa të bjerë pushteti aktual ,Cërvenkovski u përcolli mesazhin edhe konkurrentëve të tij në parti se nuk e ka ndërmend të lëshoj postin e kreut të LSDM-së”, shprehet Boxhinovski.

Maqedoninë gjatë vitit 2013 e presin zgjedhjet e rregullta lokale, por, duke marrë parasysh krizën e aktuale politike me bojkotimin e Kuvendit nga ana e opozitës pas dëbimin të saj me dhunë, analistët nuk përjashtojnë mundësinë që së bashku me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato parlamentare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG