Ndërlidhjet

Sa është numri i të papunëve në Maqedoni?


Ilustrim
Ilustrim
Qytetarët në Maqedoni thonë se po bëhet gjithnjë e më vështirë për të gjetur punë.

"Po të gjesh punë është shumë vështirë. Ka dhjetë vjet ka që jam paraqitur në Entin për Punësim. Ndryshojnë ligjet vetëm për t'i hequr sa më shumë nga Enti për Punësim. Gjejnë mënyra sa për ta zvogëluar numrin e të papunëve”, thotë Azir Alia, rreth 50 vjeç, duke shtuar se çdo ditë zgjohet me shpresë se dikush do ta angazhojë si punëtor për të siguruar harxhimet e ditës.

Nga ana tjetër, Nerimane Sakipi - Kamberaj, e cila është kthyer nga SHBA-ja, thotë se është detyruar pa ndihmën më të vogël të shtetit, të ngrejë një biznes privat. Duke komentuar kreditë e ofruara nga Qeveria për ndërmarrjet e vogla që synojnë stimulimin e uljes së papunësisë, ajo thotë se është shumë vështirë të arrihet te këto mjete:

“Që të arrish deri tek ato kredi, duhet të kompletesh shumë dokumente dhe të rinjtë s'i kanë ato. Po edhe nëse arrin t`i kompletosh, kuptohet se kush i merr ato para, i merr një numër i caktuar që fiton në konkurse, kuptohet me ndihmën e X personave”.

Por, drejtori i Agjencisë për Punësim, Vlatko Popovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia gjatë tre vjetëve të fundit ka arritur të ulë numrin e të papunëve për 100 mijë, me gjithë faktin që vitin e kaluar Evropa është ballafaquar me krizë.

Popovski hedh poshtë kritikat e opozitës se numri i rënë është rezultat i fshirjes administrative të të papunëve nga evidenca, por nuk jep përgjigje precize sa i përket dallimit mes papunësisë së zvogëluar dhe numrit të të ripunësuarve.

“Na akuzojnë se i shlyejmë nga lista e të papunëve etj, por duhet të theksoj se vetëm 8 për qind e tyre janë ankuar nga numri i përgjithshëm sa janë hequr nga lista, e cila është spastruar nga mijëra qytetarë, të cilët nuk kërkojnë aktivisht punë, por paraqiten në Entin për Punësim vetëm e vetëm të shfrytëzojnë privilegje të caktuara nga shteti”, thekson Popovski.

Ai shton se një pjesë e atyre që janë paraqitur në byro, janë të përfshirë në ekonominë joformale.

Ndërkaq, Zdarvko Savevski, aktivist i organizatës qytetare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve "Solidariteti", thotë se po të kishte vërtet ulje të papunësisë, atëherë kjo do të përcillej dhe me rritjen ekonomike në vend, gjë që shënon në vazhdimësi trend negativ.

“Sipas çdo logjike të shëndoshë, nëse vërtet brenda tre vjetësh në vend do të punësoheshin 100 mijë veta, atëherë kjo s'është e mundur të mos përcillej me një bum ekonomik. Realisht, jo që s'ka bum ekonomik, por arka e shtetit përballet me recesion të vazhdueshëm”, vlerëson Savevski.

Ndryshe, sipas të dhënave të agjencisë shtetërore për punësim, Maqedonia ka 240 mijë të papunë, prej të cilëve 103 mijë, janë aktivë në kërkimin e punës, derisa 129 janë deklaruar si pasivë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG