Ndërlidhjet

Dyshime për zbatimin e strategjisë së sigurisë


FSK
FSK
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, kanë shprehur mendime të ndryshme rreth rishikimit të Strategjisë të Sektorit të Sigurisë dhe implementimit të saj pas formimit të Forcave të Armatosur të Kosovës.

Nënkryetari i këtij komisioni, Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosej, tha për Radion Evropa e Lirë se sa i takon kësaj çështjeje, nuk është problem strategjia, por, sipas tij, problem do të jetë implementimi i saj në rrethana çfarë është Kosova.

“Nuk është tash më në dorën e eksperteve që kanë hartuar strategjinë, është në dorën e politikaneve se sa e realizojnë atë strategji. Një test që kish mundur ta kalojë implementimin e saj do të ishte se në raste brenda kësaj strategjia parashihet roli i ushtrisë së Kosovës, i Forcave të Armatosur të Kosovës, në ruajtjen e sovraniteti dhe integriteti territorial të Kosovës, ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutë, a do ta kemi së paku një repart përtej Ibrit".

"Besoj se në rrethanat e caktuar për fat të keq dihet përgjigja 'jo'. Kështu që nuk është problemi brenda kornizave të strategjisë problemi është çka ndodh jashtë kësaj strategjie dhe rreth saj"
, tha Selimi.

Kurse, kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, konsideron se me analizën që i është bërë, strategjia për sigurinë e Kosovës ka arritur objektivin.

Isufi tha se Forcat e Armatosura të Kosovës, do të mbrojnë territorin, sovranitetin, integritetin, jetën e qytetarëve dhe pasurinë e tyre.

Kjo sipas tij, nënkupton se kjo ushtri do të jetë e gatshme të ofrojë siguri për brenda dhe në misionet paqeruajtëse që mund të kërkohen në të ardhmen.

“Pikërisht se strategjia e mëhershme ka qenë e kufizuar është parë e nevojshme që të hyhet në një strategji të re e cila e bën kombinimin e të gjitha elementeve të sigurisë në Kosovë në mënyrë që të krijojë një stabilitet dhe siguri më të madhe. Dhe konsiderojmë se në fazën e ardhshme duhet të bëhet implementimi i plotë jo vetëm në ndryshimin e misionit të FSK-së në Forca të Armatosura, por edhe në segmentet e tjera të sigurisë të cilat janë prezentë në analizën e ofruar”, tha Isufi.

Në procesin e rishikimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, sipas Isufit, kanë marr pjesë ekspertë të ndryshëm dhe se sipas tij, dokumenti është mirë i përgatitur.

“Mendojmë se dokumenti është mirë i përgatitur, për arsye se është konsultuar edhe me mekanizmat e tjerë ndërkombëtar të cilët janë të prirë që Kosovën ta shohin me imazh të mirë dhe siguri të plotë”, tha Isufi për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve të sigurisë kanë vlerësuar se rishikimi i strategjisë të sigurisë së Kosovës nuk ka qenë gjithëpërfshirës edhe pse në fillim, sipas tyre, ishte premtuar një gjë e tillë.

Mentor Vrajolli është hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, dhe jep këtë mendim për sfidat në të ardhmen të Forcave të Armatosur të Kosovës:

“Sfidat më të mëdha do të jenë në implementimin e kësaj fushe (ushtarake) për shkak se tashmë Kosova do ta krijojë një sektor i cili duhet të ketë një inkuadrim edhe në strukturat e tjera rajonale që funksionojnë brenda kuadrit të institucioneve të mbrojtjes, gjë që do të jetë mjaft sfiduese për ushtrinë ose siç po e quajnë Forca e Armatosu e Kosovës", u shpreh Vrajolli.

Qeveria e Kosovës ka miratuar analizën e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë ku parashihet që Forcat e Sigurisë së Kosovës të shndërrohen në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Në atë dokument, parashihet që edhe Ministria e FSK-së të shndërrohet në Ministrinë e Mbrojtjes.

Forca e Armatosur e Kosovës, do të zhvillohet në tri faza. Ato janë projektuar të përfshijnë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezervistë.

Ndryshe, Këshilli i Sigurisë së Kosovës (KSK) është krijuar në vitin 2008 me rol këshillues për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe kontributin e saj në stabilitetin rajonal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG