Ndërlidhjet

Forcat e Armatosura të Kosovës, për 10 vjet


Do të nevojiten rreth 10 vjet që Forcat e Armatosura e Kosovës të arrijnë kapacitetet e nevojshme për të funksionuar si një forcë e tillë, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të sigurisë në Kosovë.

Sipas tyre, rekomandimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që u miratua nga Qeveria e Kosovës, vlerësohet si rekomandim profesional i dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, në përputhje me rrethanat dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se në gjithë këtë situatë, megjithatë po tregohet një lloj sensi i populizmit, duke e nxjerrë si fakt të gatshëm çështjen se Kosova do të bëhet me ushtri.

Por, siç thotë ai, vetë propozimi për bërjen e Forcave të Armatosura të Kosovës, tregon qartë se nevojiten 3 faza që të realizohet ky synim.

“Faza e parë është ndryshimi i doktrinës dhe trajnimeve, sepse doktrina dhe trajnimet e tashme kanë qenë vetëm në nivelin e mbrojtjes civile. Kjo do të zgjasë deri në vitin 2016, më së paku. Pastaj, faza e dytë është deri në vitin 2019, ku do të ngrihen kapacitetet e pjesshme ushtarake, sepse ky është një proces”.

“Kurse, faza e fundit, ku ne mund t’i themi Forcë e Armatosur e Kosovës, me 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë, do të jetë me të gjitha kapacitetet kadrovike, teknike dhe operacionale, do të jetë në vitin 2024. Do të thotë, 10 vjet nga ky moment dhe ky është një proces normal”, ka theksuar Qehaja.

Edhe Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë, vlerëson se procesi i ngritjes së një force të armatosur, kërkon rreth 10 vjet.

Sipas tij, procesi do të ballafaqohet me një varg barrierash, të cilat kërkohet të tejkalohen. Barriera e parë, sipas tij, është pamundësia buxhetore që ky proces të zhvillohet shpejtë.

“Nuk ka kapacitete financiare për ta përcjellë një proces të ngritjes më të shpejtë të Forcës së Armatosur të Kosovës. Barriera e dytë është se ende është i pazgjidhur problemi me veriun e Kosovës”.

“Në qoftë se ajo forcë nuk dislokohet në një pjesë të Kosovës, atëherë praktikisht forca e armatosur nuk i ka kryer obligimet kushtetuese. Barriera e tretë- për tu ngritur një forcë e armatosur, duhet, përveç mjeteve materiale dhe teknike, që duhet siguruar dhe blerë – duhet të aftësohet edhe kuadri për manipulime me ato mjete teknike”, thekson Maloku.

Ai shton se aftësimi i specialistëve dhe komandantëve kërkon kohë, sidomos nëse kihet parasysh që akademitë ushtarake zgjasin 3 deri në 5 vjet.

Barrierë tjetër, sipas tij, do të jetë edhe vlerësimi i rrezikshmërisë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe vlerësimi se nga cila forcë në rajon mund të vijë ky rrezik.

Sipas tij, tash për tash, ky rrezik është potencial vetëm nga Serbia dhe në përputhje me forcat e saj, duhet të ngriten kapacitetet e Forcës së Armatosur të Kosovës.

Ai, po ashtu si barrierë në këtë proces e sheh edhe çështjen e marrëveshjes së Kosovës me NATO-n.

“Nuk mundet Kosova që të ngritë forcë të armatosur të veten pa u koordinuar me NATO-n. Për momentin, përgjegjësia për sigurinë territoriale të Kosovës është e NATO-s. Pra, KFOR-i e ka këtë përgjegjësi".

"Kosova, pastaj, duhet të hyj në marrëveshje me NATO-n dhe KFOR-in, që gradualisht, duke e ngritur forcën e vet të armatosur, të bëhet edhe zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, si dhe kalimi i përgjegjësive nga KFOR-i në Forcën e Armatosur të Kosovës”, shton Maloku.

Por, Qehaja nuk e sheh si problem të madh çështjen e një marrëveshje me NATO-n për ngritjen e Forcës së Armatosur të Kosovës.

Sipas tij, modelet për një gjë të tillë ekzistojnë, siç është Bosnjë e Hercegovina, e cila ka Forcën e armatosur dhe njëkohësisht, deri vonë , ka pasur prezencën e NATO-s, e tash një prezencë ushtarake të Bashkimit Evropian.

“Në parim, nuk do të duhej të kishte një fërkim, për arsye se unë KFOR-in do ta shihja më shumë në sigurimin e integritetit dhe sovranitetit në veri të vendit dhe për arsye se nuk mundet që Forca e armatosur të gravitoj, së paku në 5 vjetet e ardhëm, në pjesën veriore të vendit, për shkak të kompleksitetit politik”.

“Unë mendoj që çështja e marrjes graduale të kompetencave nga KFOR-i, duhet të bëhet në bazë të modelit që e ka bërë KFOR-i me policinë kufitare, ku gradualisht i ka ndarë kompetencat në bazë të sektorëve”, thotë Qehaja.

Ndryshe, Maloku ka theksuar se Kosova është e orientuar drejt integrimit në NATO dhe strukturat euro-atlantike dhe çështja e ngritjes së Forcës së Armatosur të Kosovës do të varet edhe nga planet që ka NATO për rajonin.

Sipas tij, në qoftë se Kosova dhe rajoni integrohen në NATO, atëherë kjo e fundit do të përcaktojë edhe numrin e pjesëtarëve të Forcës së Armatosur të Kosovës, cilësinë e pajisjeve për të dhe llojin e armatimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG