Ndërlidhjet

Beogradi dhe veriu kundër FAK


Kosova nuk mund të formojë ushtrinë e vetë përderisa në fuqi është Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit, ka deklaruar ministri pa portofol për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ai ka paralajmëruar se Qeveria e Serbisë do të kërkojë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të paralajmërimeve të Prishtinës zyrtare për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Vulin ka thënë se “formimi i forcave të armatosura është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila në mënyrë eksplicite thekson se në territorin e Kosovës mund të jenë vetëm forcat e armatosura të KFOR-it”.

Duke folur për Kosovën, Vulin i ka mbetur besnik qasjes së politikës serbe të viteve 1999 – 2000 kur Kosova ishte vendosur nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.

Duke injoruar faktin që Kosova sapo ka kremtuar edhe gjashtë vjetorin e pavarësisë, Vulin tezat e tij i ka mbështetur në Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit e cila ka mbetur ende në fuqi.

“Në territorin nën administrimin e Kombeve të Bashkuara sipas Rezolutës 12 44 mund të ekzistoj vetëm një forcë ushtarake dhe kjo është KFOR-i dhe se nuk mund të ketë aty asnjë forcë tjetër e armatosur”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, Kosova nuk mund ta ketë ushtrinë e vet dhe për këtë arsye edhe Serbia do të kërkojë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit.

“Armata nënkupton armatimin e rëndë dhe në territorin e Kosovës këtë armatim përveç KFOR-it askush nuk mund ta ketë”, ka thënë Vulin.

Mirëpo për dallim nga deklaratat e zyrtarit të qeverisë serbe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte shprehur besimin e tij se me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës do të përfitonte i gjithë rajoni, kur është në pyetje paqja dhe siguria.

Po ashtu, Thaçi ishte zotuar se hapat drejt formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës do të jenë të koordinuara me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtar.

“Kjo është në të mirë të vendit, në të mirë të qytetareve tanë pa dallim etnik, fetar apo orientimi politik. Kjo është në të mirë të gjithë rajonit, pa përjashtime. Është në interesin e proceseve të integrimeve euro-atlantike dhe dëshmon përkushtimin tonë se Kosova është e gatshme të transformohet dhe të prodhojë më tepër siguri dhe të jetë garantues i sigurisë së vet, dhe bazuar në hapat e mëtutjeshëm të jemi një faktor relevant i sigurisë rajonale por edhe globale”, ka thënë Thaçi.

Çështja e Forcave të Armatosura të Kosovës është trajtuar sot edhe nga këshilltarët serb të katër kuvendeve të komunave veriore të Kosovës të cilët u mblodhën pa praninë e këshilltarëve shqiptar në një seancë të përbashkët në Zveçan.

Këta përfaqësues që dolën nga procesi i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, kanë paralajmëruar Qeverinë në Prishtinë se formimi i ushtrisë së Kosovës do të paraqiste, sipas tyre, kërcënim për sigurinë e komunitetit serb dhe për paqen në rajon.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar rekomandimin e dalë nga analiza e sektorit të sigurisë, sipas të cilit tani janë pjekur kushtet që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Mirëpo, deri te ky transformim, që parashihet se do të zhvillohet në disa faza dhe do të zgjas deri në 10 vjet, përveç dakordimeve dhe harmonizimeve me faktorin ndërkombëtar dhe me NATO-n, institucionet e Kosovës do të detyrohen të ndryshojnë edhe Kushtetutën dhe të miratojnë Ligjin për formimin e Forcave të Armatosura.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG