Ndërlidhjet

Policia i ofron asistencë OSBE-së për zgjedhjet serbe


Foto nga zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Kosovës në veri
Foto nga zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Kosovës në veri
Policia e Kosovës në veri ka bërë të ditur se materiali zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të zhvillohen të dielën edhe në Kosovë, ka arritur.

Zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se materiali është pranuar nga OSBE-ja, kurse polica e ka përcjellë konvojin e makinave.

“Do të jenë 10 qendra të grumbullimit të këtyre votave në veri të Kosovës. E kam fjalën në katër komunat. Një do të jetë në veri të Mitrovicës, dy do të jenë në Zubin Potok, tri në Zveçan dhe katër të tjera në Leposaviq”, ka thënë Hoti.

Ai ka bërë të ditur se roli i Policisë së Kosovës do të jetë ruajtja e rendit publik, zbatimi i ligjeve dhe ofrimi i asistencës për OSBE-në.

“Policia e Kosovës, qoftë nga aspekti formal, apo juridik, qoftë operacional, do të ofrojë asistencën e nevojshme të kërkuar nga OSBE-ja, me qëllim të grumbullimit të fletëvotimeve për zgjedhjet, të cilat mbahen. Ky është i tërë roli i Policisë së Kosovës që nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së nesërme - pra që të ofrojë sigurinë dhe asistencën e nevojshme të kërkuar nga OSBE-ja”, ka deklaruar Hoti.

Edhe zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky mision, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Serbi, do të ndihmojë procesin e votimit në Kosovë.

“Do të hapen dhjetë qendra për grumbullimin e votave dhe 15 degë të tyre dhe ne do të kemi të angazhuar rreth 400 persona nga OSBE-ja. Materiali është këtu dhe pas përfundimit të votimit, materiali do të kthehet për numërim në Vranjë dhe Rashkë. Qendrat e votimit do të hapën në orën shtatë të mëngjesi dhe do të mbyllen në orën 8 të mbrëmjes”, ka theksuar Gaon.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që qytetarët me dy nënshtetësi që jetojnë në Kosovë, mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Edhe njohësi i proceseve zgjedhore, Adnan Merovci, ka thënë se qytetarët që kanë dyshtetësinë, mund ta realizojnë të drejtën e tyre për të votuar për zgjedhjet e vendit tjetër, shtetësinë e të cilit e kanë.

“Ne si shtet - meqenëse ata kanë të drejtë dhe kanë aftësi juridike për të votuar edhe në një shtet tjetër - nuk na takon, nuk është demokratike dhe nuk është ligjore, për të mos thënë nuk është kushtetuese, që një qytetar me nënshtetësi të dyfishtë, ta pengojmë për të votuar në zgjedhjet, për të cilat është juridikisht i aftë për të votuar. Mirëpo, në rastin konkret, ne duhet të pajtohemi ose të pranojmë vetëm ato që nuk e prekin elementin e sovranitetit dhe shtetësisë tonë”, ka vlerësuar Merovci.

Ndryshe nga ekzekutivi, partitë politike opozite në Prishtinë kanë konsideruar se mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, paraqet shkelje të sovranitetit të shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG