Ndërlidhjet

“Borxhi” po mban peng zhvillimin e “Trepçës”


Kombinati "Trepça"
Kombinati "Trepça"
Pretendimet e kreditorëve po mbajnë peng zhvillimin ekonomik të kombinatit "Trepça”, në Mitrovicë, thonë udhëheqës të këtij kompleksi.

Borxhi i “Trepçës” thuhet të jetë krijuar në vitet ‘90, në kohën kur ky kompleks ishte menaxhuar nga pushteti serb.

Por, Halil Çela, ushtrues detyre i drejtorit gjeneral në kombinatin “Trepça”, nuk beson se “Trepça”, i ka borxh ndonjë kompanie gjatë kësaj periudhe, pasi, sipas tij, ky gjigant vetëm sa është dëmtuar dhe jo zhvilluar.

“Kombinati ‘Trepça’ është ekspolatuar dhe dëmtuar qindra miliona euro. Me vetë faktin se për një periudhë shumë të gjatë “borxhet” e ‘Trepçës’ janë sjellë mes 50 deri 250 milionë euro, nënkupton se diçka është jo e qartë”.

“Mendoj se i vetmi përfitim, nëse dikush ka dashur të ketë nga fjala kreditor, është se ‘Trepçën’ nuk e ka lënë të zhvillohet ekonomikisht dhe e ka pamundësuar të jetë konkurrente me vendet tjera për rreth”
, thekson Çela.

Çela shton se në vitet ‘90, kur edhe pretendohet se janë krijuar borxhet, nuk është realizuar ndonjë projekt kapital në këtë kompleks. Borxhet e pretenduara, sipas Çelës, nuk kanë bazë as në dokumentacion, por as në infrastrukturë zhvillimore.

“Ju them, me përgjegjësi të plotë, se deri më sot asnjë ekspert, asnjë inxhinier, as udhëheqës, nuk e ka vërejtur se në ‘Trepçë’ është ndërtuar ndonjë objekt kapital, repart, ndërtesë e re, që nënkupton se kanë ndodhur investimet”.

“Të gjitha këto ndërtesa, miniera, horizonte, hyrje - dalje, objektet ngjitëse janë ndërtuar para viteve 1989 kur punëtorët dhe inxhinierët shqiptarë janë larguar nga puna. Kjo de facto nënkupton se nuk ka investim, në letra mund të ketë gjithçka, por në realitet nuk ka”,
shpjegon Çela.

Megjithatë, në adresë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit tashmë kanë arritur disa kërkesa të kreditorëve pretendues, thotë Yll Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, duke mos e publikuar numrin e pretendueseve dhe as shumat që kërkojnë.

“Mund të themi se agjencia ka pranuar një numër kërkesash, ndër të cilat, kërkesat dhe shumat më të mëdha janë nga vetë punëtorët e ‘Trepçës’. Pastaj nga Qeveria e Kosovës, e cila ka bërë investime të mëdha që nga periudha e pasluftës. Si dhe disa kompani të vendeve të tjera, të cilat pretendojnë se kanë bërë investime në këtë kombinat, periudhë kjo e masave të dhunshme në ‘Trepçë’”, bën të ditur Kaloshi.

Në mesin e kreditorëve janë edhe disa kompani nga shteti i Serbisë, thotë Kaloshi.

Ndryshe, muajin e kaluar Serbia, përmes ministrit të saj për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka ftuar kreditorët të paraqiten te shteti serb për t’i mbrojtur të drejtat e tyre.

Vulin citohet të ketë thënë se “Trepça“ është gjithsesi “kombinati më i rëndësishëm ekonomik, duhet të kemi kujdes për të dhe nuk guxojmë të lejojmë që ai edhe më tej të jetë në ristrukturim, për shkak të borxheve që ka ndaj ekonomisë serbe”.

Por, Halil Çela, udhëheqës i kombinatit “Trepça”, shprehet se nëse llogaritet se kush kujt i ka borxh, ai thotë se shteti i Serbisë ka borxhe ndaj “Trepçës”.

“Nëse bëjmë llogari siç duhet, ‘Trepça’ ka hapur shumë miniera, ka bërë hulumtime nëpër Serbi, dhe asnjë cent deri më tani nuk i është kthyer ‘Trepçës’. Po flas për vitet ‘70- ’80, kur në Serbi dhe ish – Jugosllavi janë hapur shumë miniera dhe nuk iu është kthyer asnjë cent”.

“Pas përfundimit të të gjitha investimeve, ka dalë ndonjë njësi politike dhe ka thënë se kjo është bërë për ndihmë apo diçka tjetër. Prandaj, nëse i hyjmë llogarisë se kush kujt i ka borxh, jam shumë i sigurt se Serbia Kosovës i ka shumë borxh”,
deklaron Çela.

Sidoqoftë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, edhe Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se pas 15 vjetësh humbje kohe, “Trepça” do të aktivizohet, do të lirohet prej kreditorëve, qofshin ata real, qofshin kreditorë të sajuar nëpër kuzhina të ndryshme të Beogradit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG