Ndërlidhjet

Ismajli: Procesi i PTK-së mund të zgjasë edhe 4 vjet


Fadil Ismajli
Fadil Ismajli
“Ne nuk jemi duke u marrë me proces të ri të privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, jemi duke u marrë me shërimin e PTK-së, nëse mund ta quaj ashtu, pozicionimin e PTK-së në mënyrë të drejtë në treg dhe kjo mund të zgjasë dy, tre apo edhe katër vjet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.


RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës është përmbyllur si i pasuksesshëm në fund të vitit që lamë pas. Cilët janë hapat që janë ndërmarrë menjëherë pas dështimit të këtij procesi?

FADIL ISMAJLI
Aktualisht, jemi duke u marrë me kompletimin e dokumentacionit, me ndërtimin e dosjes adekuate, që kushdo që ka nevojë të kthehet në çdo rast, mund ta shohë komplet procesin me dokumente valide se si është përcjellë, si ka shkuar prej momentit të marrjes së vendimit për privatizim e deri te shpallja e rezultatit të këtij tenderimi.

Dhe, pastaj deri në përmbylljen ta quaj të pasuksesshme të këtij procesi me datën 31 dhjetor të 2013-s, që ka qenë edhe data e fundit e mundshme në bazë të dokumenteve të transaksionit për nënshkrim të kontratës dhe vazhdim të të përmbylljes së suksesshme të tij.

Fatkeqësisht, Komiteti qeveritar e mori këtë vendim mbi bazën e, normalisht, shumë analizave, shumë kërkesave – ju e dini se është shtyrë disa herë. Shtyrjet kanë qenë ndonjëherë kërkesë e konkurruesit, ose investitorit potencial. Kemi qenë edhe në disa situata të rënda në bazë të disa kërkesave që kanë ardhur prej andej, dhe njëherësh kemi treguar vullnetin e mirë që deri në minutën e fundit të mundohemi ta përmbyllim suksesshëm këtë projekt.

Ka qenë tepër me rëndësi që të përmbyllet suksesshëm, për Kosovën si shtet i ri, për imazhin tonë në arenën ndërkombëtare, sidomos në pjesën e bizneseve dhe investitorëve potencialë që duhet të vijnë në Kosovë - jo pse ne kemi bërë diçka që nuk është në rregull ose që e kemi dëmtuar dikë, sepse nëse është dëmtuar dikush, shumë më tepër është dëmtuar buxheti i Kosovës edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet pagesave që është dashur të bëhen për konsulentët, por edhe në bazë të krejt energjisë dhe kohës së shpenzuar të Komitetit qeveritar, konsulentëve, njësisë për implementim, besa edhe të pjesës së personelit të PTK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Një afat kohor, kur do të mund të kompletoni dokumentacionin për këtë proces dhe për të rifilluar një proces i ri i Postë-Telekomit të Kosovës?

FADIL ISMAJLI
Tani Postë-Ttelekomi i Kosovës e ka statusin e njëjtë, të cilin e ka pasur. Është ndërmarrje publike në pronësi shtetërore. Unë si ministër nuk do të ndërmarr aktivitet të riaktivizimit të një procesi të privatizimit në këtë moment.

Mendoj se krejt ajo që ka ndodhur për këto vjet, ka ndikuar që PTK-ja të mos jetë në pozitën më të mirë të mundshme në treg ashtu siç ka qenë dikur.

Këtu ka faktorë të ndryshëm që kanë ndikuar. Një prej tyre është një proces i tejzgjatur i privatizimit, sepse normalisht që është përcjellë ndonjëherë edhe me disa kufizime ndoshta në investime. Por, gjithashtu, në raste të tilla, në ndërmarrje të tilla çfarë është PTK-ja, ndodh rënie e motivimit, performancës, sepse vetëm nëse ndërrohet menaxhmenti ndodhin gjëra si kjo, e lëre më kur ndërrohet pronësia.

Pra, krejt kjo ka ndikuar, patjetër, dhe ne duhet të kujdesemi që pas një analize të thuktë që jemi duke bërë, të marrim vendime adekuate se çka do të ndërmerret me PTK-në, në mënyrë shumë analitike, veprimet duke filluar prej menaxhmentit e deri te përcjellja e një metodologjie, e cila do ta matë edhe performancën atje, dhe kthimit gradual në treg që të mund t’i bëjë ballë konkurrencës, që është mjaft agresive kohëve të fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Mund të ketë brenda këtij viti një rifillim të procesit të PTK-së?

FADIL ISMAJLI
Ne nuk jemi duke u marrë me proces të ri të privatizimit të PTK-së. Tash do të merremi, nëse mund ta them, me shërimin e PTK-së, pozicionimin e saj, në mënyrë të denjë në treg dhe kjo mund të zgjasë 2-3 ose 4 vjet, nuk do të prognozoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Do ta merrni pëlqimin e Kuvendit të Kosovës për privatizimin e Postë -Telekomit të Kosovës?

FADIL ISMAJLI
Po e përsëris, nuk jemi duke menduar për privatizim tash

RADIO EVROPA E LIRË
Por, kur të krijohen kushtet për privatizimin e PTK-së, do të merrni pëlqim, pasi që Kuvendi deri më tani asnjëherë nuk ka marrë vendim për privatizimin e PTK-së?

FADIL ISMAJLI
Tani këto janë çështje, me të cilat merren juristët. Privatizimi ka pasur bazën e vet në buxhetin e vitit 2011 dhe nuk kam çka të komentoj më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Kalojmë në një temë tjetër... Kosova edhe pas 14 vjetëve të pasluftës nuk ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore për kompleksin industrial “Trepça”. Aktualisht, ky gjigant ekonomik, që ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha ekonomike në ish-Jugosllavi, përballet me probleme të natyrës juridike ekonomike dhe politike. Çfarë është duke u bërë?

FADIL ISMAJLI
Prej momentit kur kam ardhur, intensivisht kam filluar të merrem me të. Dhe mendoj se kjo mund të riaktivizohet me potencialin e vet, mund të gjenerojë vende të reja të punës, mund të përfaqësojë denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare të biznesit, nëpër bursa të ndryshme etj.

Rreth Trepçës do të zhvillohen veprimtari të ndryshme sekondare shërbyese dhe prodhuese, të cilat do ta kenë target Trepçën dhe konsumatorët që do t’i shfrytëzojnë prodhimet që mund të dalin nga lënda e parë që vjen prej saj.

Në këtë drejtim, me angazhimin e ekspertëve vendorë, për gjetjen e një zgjidhjeje më të volitshme dhe më të shpejtë në këtë drejtim tashmë në tavolinën e Qeverisë është propozimi që Trepça me asetet thelbësore të saj të bashkohet në listën e ndërmarrjeve publike.

Normalisht, pastaj vazhdon procesi i mëtutjeshëm i ristrukturimit të saj - në një anë ndarja e këtyre aseteve thelbësore nga ato jothelbësore. Me asetet jothelbësore do të merret AKP-ja edhe më tutje, ashtu siç është marrë deri më tash.

Ndërsa me Trepçën, me asetet qenësore të saj, do të merret Qeveria dhe Parlamenti, do të vendoset bordi profesional, i cili më tutje do të dalë para Qeverisë me propozime konkrete me një dinamikë të aktivizimit më të shpejtë të Trepçës.

Krejt këtë, do të shohim me kohë si do të zhvillohet.

Po një është e sigurt, se kjo do të kalojë në Qeveri. Unë besoj se koncept-dokumenti për këtë propozim do të jetë qysh javën e ardhshme në Qeveri. Pastaj dilet në Kuvend për aprovim të vendimit dhe vazhdohet me hapat tjerë normal.

Me këtë punë konsideroj se pas 15 vjetësh humbje kohe, Trepça do të aktivizohet, do të lirohet prej kreditorëve, qofshin ata real, qofshin kreditorë të sajuar nëpër kuzhina të ndryshme të Beogradit apo diku tjetër dhe një entitet tjetër merret me ato që të mos frenohet zhvillimi i këtij gjiganti.

RADIO EVROPA E LIRË
Projekti që do të zgjidhë krizën energjetikë në Kosovë është ndërtimi i Termocentralin “Kosova e Re”, përgatitjet për të cilin filluan në vitin 2001. Ku është ky projekt çfarë po ndodh me të?

FADIL ISMAJLI
Sigurimin e furnizimit me energji elektrike mund ta sigurojmë vetëm me kapacitete, të cilat në afat të gjatë mund të gjenerojnë energji elektrike të sigurt dhe me një çmim të përshtatshëm për konsumatorë – qofshin ata të amvisërisë , apo të industrisë te ne.

Ndër të tjera, investitorët potencial që mendojnë të investojnë në Kosovë, sidomos në aspektin e prodhimeve të ndryshme, pyetje të parë do të bëjnë si qëndron çështja me furnizim me energji elektrike.

Dhe, në këtë aspekt, kemi bërë të pamundurën që në rend të parë t’i detektojmë, t’i pranojmë sinjalet që vijnë nga tregu i investitorëve dhe tashmë paketa është ristrukturuar, ndryshe prej asaj që ka qenë. Fillimisht kur flasim prej 2006-s e tutje, pak a shumë ndoshta ka qenë utopike - them utopike mbase prej aspektit të vlerës së madhe që do të kishin 2000 megavat të ndërtohen në Kosovë - meqë atëherë ende s’kemi qenë anëtarë të Bankës Botërore, BERZH-it, dhe institucioneve të mëdha financiare ndërkombëtare, pra ka qenë kafshatë e madhe.

Në anën tjetër, kufizimet tjera nuk janë marrë parasysh se ndërtimi i 2000 megavatëve është shumë i vështirë të pranohej nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga BE-ja marrë parasysh ngrohjen globale që është temë botërore dhe marrë parasysh se elektranat me thëngjill nuk shihen me aq simpati nga ambientalistët dhe nga politika, të cilën Komisioni Evropian e ndërton për ambientin në përgjithësi.

Tani më e mira në krejt këtë është se u aprovua paketa e re e “Kosovës së Re”, e cila nuk e përmban minierën brenda kësaj pakete. Miniera edhe më tej mbetet si resurs natyror i Kosovës, ndërmarrje publike-shtetërore, që do të furnizojë jo vetëm Kosovën e Re, por edhe gjeneratorët ekzistues. Dhe, kjo shkon në dy drejtime, e para e ruajmë pronësinë mbi asetet ose pasuritë tona natyrore dhe nga ajo gjenerojmë.

Ajo është, pastaj, element që na mundëson ta trajtojmë më lehtë çështjen e tarifave të energjisë te konsumatorët, sepse shërben si një levë rregulluese. Dhe, e treta, plotësojmë edhe anën tjetër - aspektin e një obligimi të reformimit dhe strukturimit të sektorit të energjisë elektrike, sepse nuk do të ishte mirë që një gjenerator ta ketë mihjen, e cila duhet t’u shërbejë gjeneratorëve të tjerë. Por, një mihje u shërben të gjithë gjeneratorëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, si ministër, keni arritur të nënshkruani marrëveshjen për linjën e interkoneksionit 400 kV Kosovë- Shqipëri. A mund të na tregoni çfarë përmban kjo marrëveshje dhe çka ndihmon Kosovën si e tillë?

FADIL ISMAJLI
Është një prej projekteve, pas “Kosovës së Re”, për të cilën unë personalisht jam i angazhuar, dhe normalisht që ka pasur shumë probleme në drejtim të realizimit të tij, fillimisht me futjen në programet e studimit të Bankës Botërore dhe të tjerëve, të cilat në njëfarë mënyre shërbejnë si vizë për të ecur tutje, ose që investitorët të jenë të interesuar të financojnë projekte të tilla, pastaj futja në listën e projekteve, të cilat quhen jo vetëm projekte të një ose dy vendeve, por me impakt regjional që i ka dhënë fuqinë dhe në fund gati kaluan dy vjet, kur menduam se u krye gjithçka, pala shqiptare e kontestoi pjesën e vet dhe ajo zgjati më shumë se një vit fillimin e implementimit.

Çka përmban?
Përmban dy segmente të mrekullueshme, sepse ndërkohë ideja për ndërtimin e një linje thjesht fizike, sa për transport apo transmetim të energjisë elektrike, te ne ka evoluuar se ajo linjë nuk do të jetë linjë puro inkerkonektive, por do te jetë linjë që do të mundësojë edhe funksionimin paralele të dy sistemeve Kosovë – Shqipëri.

Dhe, aty është edhe pjesa që unë e quaj e butë, soft, e asaj që hidro-elektranat e Shqipërisë do të pajisen me pajisje për rregullimin fuqi/frekuencë, e cila do ta mundësojë valorizimin e plotë të gjenerimit jo fleksibil të termo-elektranave në Kosovë, por edhe valorizimin e plotë të energjisë nga hidro-elektranat, e cila mund të shfrytëzohet në pik. Dhe, këto kursime janë enorme në një anë, përveç që do të ketë kursime dhe optimizime, shërbimi ndaj konsumatorit nga të dy anët, do të jetë shumë më i mirë.

Kjo linjë na mundëson që ne parimisht të ndërtojmë tregun e përbashkët të energjisë elektrike – punë të cilën tashmë e kemi filluar me USAID-in dhe me një ndihmesë të qeverisë norvegjeze.
XS
SM
MD
LG