Ndërlidhjet

Për Trepçën duhet zgjidhje urgjente


Kosova edhe pas 14 viteve të pasluftës nuk ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore për kompleksin industrial “Trepça” që gjendet në Mitrovicë.

Aktualisht ky gjigant ekonomik, që ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha ekonomike në ish Jugosllavi, përballet me probleme të natyrës juridike ekonomike dhe politike, vlerësojnë përfaqësues të organizatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë vendorë.

Çështja e Trepçës është diskutuar të premten nga përfaqësues të organizatave ekonomike, ekspertë vendor dhe përfaqësues të Trepçës të cilët kanë kërkuar nga Institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapa korrekt dhe urgjent në gjetjen e një zgjidhje për ri funksionalizmin në tërësi të kësaj ndërmarrje.

Ata kanë theksuar se është koha e fundit që të gjendet një zgjidhje.

Pas kërkesës së qeverisë së Kosovës për të prezantuar idetë e tyre për ristrukturimin dhe riorganizimin e Trepçës, organizatat ekonomike kanë paraqitur disa propozime.

Investimet kapitale në ri-vitalizmin e ndërmarrjes "Trepça" si dhe gjetja e një partneri serioz ndërkombëtar, janë dy nga mënyrat më të rëndësishme që i mundësojnë Kosovës kthimin e gjigantit të vet më të madh prodhues, janë disa nga rekomandimet e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka thotë se dinamika e rivitalizimit të Trepçës duhet të përshpejtohet.

“Të shikohet mundësia krijimit të një ndërmarrje të re NewCo Trepça, e cila do të vazhdojë veprimtarinë në industrinë e minierave dhe të shkëputet nga obligimet e vjetra të ndërmarrjes Trepça të cilat natyrisht do t’i mbeteshin për trajtim Agjencisë Kosovare të Privatizimit apo ndonjë agjencie tjetër shtetërore. Të përshpejtohet ri-organizimi i Trepçës, pasi që po e shohim se ka vlerë prej kësaj ndërmarrje atëherë pse të presim", tha Zeka.

Institucionet e Kosovës tashmë janë deklaruar se ndërmarrja Trepça nuk duhet privatizuar, por sipas tyre, duhet të fillojë një proces ristrukturimi dhe riorganizimi që mundëson rikthimin e këtij gjiganti në shërbim të ekonomisë së Kosovës.

Pas luftës, kompleksi Trepça u nda në njësinë veriore dhe atë jugore dhe që nga ajo kohë ky kompleks funksionon në dy njësi të ndara.

Ushtruesi i detyrës së drejtori të Trepçës në jug, Halil Çelaj ka folur për një gjendje jo të mirë të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, në këtë gjendje çfarë është aktualisht Trepça, është gati e pamundur të ngrihen kapacitete të reja prodhuese.

Në praktikë është e pamundur të rritet prodhimi edhe të hapen kapacitete tjera prodhuese. Kujtoj se me rrethanat aktuale është gati e pamundur. Kjo tregon se ne duhet, apo qeveria, apo ministria e zhvillimit ekonomik e cila ka marr përsipër të bëjë draft ligjin dhe të fusin në diskutim publik dhe të bëjë një ligj të mirë për Trepçën”, u shpreh Çelaj.

Në anën tjetër edhe përfaqësuesi i ndërmarrjes Trepça në veri, Ljubomir Mariq, ka folur për një gjendje të rëndë në këtë ndërmarrje.

“Ne si menaxhment nga veriu kemi mjaft probleme. E kuptojmë që kompetenca e Agjencisë për Privatizim krijon probleme në punë dhe presim që për zhvillimin e mëtutjeshëm të Trepçës duhet të zgjidhet çështja e statusit të pronësisë, e cila do të zgjidhej në dialog, kur do të zgjidheshin çështjet e pronave. Në ndërkohë, menaxhmenti duhet të punojnë për krijimin e klimës për tërheqjen e investitorëve. Kjo është detyra e jonë”, ka thënë Mariq.

Serbia vazhdimisht ka pretenduar në asetet e Kosovës duke përfshirë këtë pikë edhe në planin e saj për normalizim të raporteve me Kosovës.

Aktualisht Trepça është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërkohë që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë ndikim në rrjedhën dhe menaxhimin e saj.

Ndryshe, “Trepça” si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme në vitet ’80 ka pasur mbi 20 mijë punëtorë.

Ndërsa, ky gjigant tash numëron rreth 1,505 punëtorë shqiptarë, kurse 1,000 punëtorë të tjerë janë të komunitetit serb dhe punojnë në sektorët e kësaj ndërmarrjeje, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG