Ndërlidhjet

Trepça: As në likuidim, as në privatizim


Trepça
Trepça
Kombinati metalurgjik “Trepça”, nuk është as në proces të likuidimit dhe as të privatizimit, deklarojnë autoritetet kompetente. Sipas tyre, kjo ndërmarrje tashmë gjendet në proces të riorganizimit, që nënkupton rivitalizimin dhe ristrukturimin e Trepçës në përgjithësi.

Këto deklarata vijnë pas protestës së mbajtur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kundër procesit të Privatizimit të Postë-Telekomit, Korporatës Energjetike të Kosovës dhe , siç thuhet, likuidimit të Trepçës.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se vendimet për Trepçën, do të sillen pas përfundimit të riorganizimit.

“A do të kemi partneritet publiko-privat, a do të kemi privatizim të plotë ose parcial, dhënie me koncesion? Të gjitha këto mbetet të shqyrtohen pas përfundimit të procesit të riorganizimit”.
Vendimmarrje nuk mund të ketë pa ditur vlerën e Trepçës, dhe pa u sqaruar obligimet eventuale - në rast se ka të tilla.

“Janë një mori gjërash, të cilat do të duhet të ndërmerren para se të fillojë vendimmarrja për dhe rreth Trepçës. Vendimmarrje nuk mund të ketë pa ditur vlerën e Trepçës, dhe pa u sqaruar obligimet eventuale - në rast se ka të tilla”, thotë Kaloshi.

Nuk mund të sillen vendime për shitje, privatizim, dhënie me qira, apo investime në një ndërmarrje, së cilës nuk i dihet vlera, thekson Kaloshi, sidomos kur bëhet fjalë për Trepçën, si ndërmarrje me parametra potencial për zhvillim ekonomik në Kosovë.

“Pasi që të gjitha këto të kryhen, kur flasim për çështje madhore siç është Trepça, vendimmarrës nuk do të mund të jetë askush tjetër përpos Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaron Kaloshi.

Ndryshe, Ramadan Ademi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Kombinatit Trepça, thotë se mosinvestimet dhe moszëvendësimi i teknologjisë së vjetruar me teknologji të re, lënë hapësirë për dyshime se Trepça do të likuidohet.

“Sipas informatave që ne posedojmë, pritet një administrator i ri, që të vijë në Trepçë dhe ai administrator nuk vjen për asgjë tjetër, por vjen vetëm për të dërguar Trepçën në likuidim. Del ndonjë pasanik e blen për pak para”, thotë Ademi.

Por, zyrtarë të AKP-së, konfirmojnë që, sipas ligjit në fuqi, administrator i vetëm i Kombinatit “Trepça”, është Agjencia deri në përfundimin e procesit të riorganizimit.



Ndryshe, që nga viti 2006, Kombinati Trepça gjendet nën moratoriumin e lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, bazuar në rregulloren e UNMIKU-ut.

Stërzgjatja e moratoriumit ka shkaktuar zhvlerësimin e aseteve, kosto të larta për mirëmbajtje dhe sigurim të aseteve pasive.

Përderisa për asetet aktive, sipas zyrtarëve të AKP-së, moratoriumi ka qenë pengesë për tërheqjen e investimeve për zëvendësimin e teknologjisë së vjetruar dhe rritje të prodhimtarisë.

Ndërsa, në vitin e kaluar, AKP-ja ka kërkuar fillimin e riorganizimit të ndërmarrjes. Kjo u mundësua me hyrjen në fuqi të Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG