Ndërlidhjet

Raundi i parë për këtë vit përfundon pa marrëveshje


Ivica Daçiq e Hashim Thaçi, foto nga arkivi
Ivica Daçiq e Hashim Thaçi, foto nga arkivi
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequra nga kryeministrat e këtyre dy vendeve, nuk kanë arritur pajtim rreth implementimit të marrëveshjes për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës.

Në takimin e tyre të 21 me radhë, në kuadër të dialogut që me lehtësimin e BE-së është zhvilluar në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij nga Serbia, Ivica Daçiq, thanë se është arritur përparim, por kanë mbetur dallimet.

“Diskutuam për mundësitë e implementimit të çështjeve të drejtësisë në veri. Ka progres, por ende nuk ka marrëveshje. Gjithashtu, biseduam për mënyrën e funksionalizimit të mëtutjeshëm të komunave në veri, zgjedhjen e asambleve dhe të kryetarëve si dhe zgjedhjet që të mbahen për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore. Sipas marrëveshjes së 19 Prillit, gjithçka do të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës Kosovës. U dakorduam që takimi i radhës do të jetë më 12 shkurt”, u tha gazetarëve në Bruksel pas takimit kryeministri i Kosovës, Hasim Thaçi.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, në komunikatën e saj të lëshuar me shkrim, ka thënë se ajo ishte “shumë e kënaqur të sheh përkushtimin e të dy kryeministrave sikur edhe të zëvendës-kryeministri Vuçiq dhe të pjesëtarëve të delegacioneve të tyre, për të vazhduar punën. Pres me kënaqësi t’i takoj përsëri ata më 12 shkurt, kur do të takohemi për të vazhduar procesin”.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se mospajtimet janë rreth gjykatave dhe policisë në veri.

“Nuk kemi arritur të pajtohemi rreth gjykatave. Ende ekzistojnë dallime domethënëse në qëndrimet dhe parimisht nuk kemi mundur të pajtohemi të pranojmë disa çështje të cilat do të ndikonin në qëndrimet fillestare të marrëveshjes së prillit që gjykata të reflektojnë strukturën etnike të popullsisë”, është shprehur Daçiq duke njoftuar se pala kosovare kërkon që kjo të zgjerohet në shtatë Komuna të rajonit të Mitrovicës, e jo vetëm katër komunat me shumicë serbe në veri.

Ditë më parë, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet ndërmjet dy kryeministrave, pati thënë se dialogu sot, i cili ndryshe zhvillohet në kuadrin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, do të trajtojë çështjen e konstituimit të komunave në veri.

“Takimi do të zhvillohet pas inaugurimit të suksesshëm të tri komunave në veri, nga katër sa janë. Tani palët kanë mundësinë që të vazhdojnë punën e tyre në këtë aspekt, dhe të çështjeve tjera që ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjes së [19] prillit”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga zyra e zonjës Ashton.

Inaugurimi është bërë në komunën e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Mitrovica e Veriut ndërkaq shkon sërish në zgjedhje për kryetar komune më 23 shkurt, pasi kandidati i votuar Kërstimir Pantiq, refuzoi të japë betimin për shkak të simboleve shtetërore të Kosovës që gjendeshin në dokumentacionin inagurues, edhe pse ato, siç thuhej, “ishin të mbuluara me letra ngjtitëse”.

Ndryshe, raundi i së hënës pasoi atë të 13 dhjetorit të vitit të kaluar, takim i cili përfundoi pa marrëveshje mbi çështjen e gjyqësorit në veriun e Kosovës.

Prishtina zyrtare kërkonte që të ketë “një sistem unik në funksionimin e institucioneve të drejtësisë në veriun e vendit”, kurse autoritetet në Beograd insistonin që “zgjidhja të jetë praktike dhe të ketë për bazë veçantinë e katër komunave në veri”. (a.v.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG