Ndërlidhjet

Bruksel: Nuk ka marrëveshje


Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi, foto nga arkivi
Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi, foto nga arkivi
Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë takuar të premten në Bruksel për një rreth të ri bisedimesh mbi çështjen e gjyqësorit, por marrëveshje nuk ka.

Edhe ky rreth, si rëndom, është ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Pas takimit, zoti Thaçi e ka cilësuar takimin si konstruktiv.

"Ne kishim një takim konstruktiv. Është pajtueshmëri e plotë se duhet të jetë një sistem unik i drejtësisë, ndërsa marrëveshje nuk ka", ka thënë kryeministri i Kosovës, duke paralajmëruar se tani u mbetet ekipeve teknike të vazhdojnë punën e tyre.

Kryeministri serb, ndërkaq, Ivica Daçiq, ka shprehur keqardhjen e tij që "që pala e Prishtinës nuk i është përmbajtur qëndrimeve të grupeve punese", për të cilat ai tha se do të vazhdojnë punën e tyre, por që dy kryeministrat nuk do të takohen "ditëve të ardhshme".

"Duhet arritur deri te një zgjidhje praktike, në përputhje me realitetin në terren, e cila do të ishte e zbatueshme dhe do të kishte për bazë veçantinë e katër komunave në veri".

"Propozimet tjera që kanë ardhur nga ana e Prishtinës praktikisht nënkuptojnë që veriu i Kosovës të përfshihet në një hapësirë shqiptare, në të cilën shqiptarët do të përbënin 60-70 për qind të popullatës. Kjo për ne, thjesht, është e papranueshme",
ka thënë Daçiq.

Daçiq e ka cilësuar qëndrimin e së premtes të Prishtinës si "manovër politike", duke thënë se pala kosovare ka "kërkuar që gjykata themelore në Mitrovicë të mbulojë shtatë komuna, kurse Beogradi ka kërkuar që nëse duhet të ketë një gjykatë, atëherë ajo duhet të jetë në dy ndërtesa, një në jug, e tjetra në veri të Mitrovicës".

Në takimin e javës së kaluar, palët kanë arritur përparim për çështjen e policisë, përkatësisht integrimit të strukturave jolegale në Policinë e Kosovës.

Bashkimi Evropian e pati cilësuar si vendimtar këtë takim, marrë parasyshë se nga ky përparim do të varet edhe raporti që baronesha Ashton do të përpilojë për shtetet anëtare të BE-së, për të vlerësuar suksesin në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë duke u konsultuar edhe për formulimin e kornizës negociuese, e cila duhet të miratohet para se të nisin negociatat me Serbinë.

Sipas burimeve diplomatike, pritet që në këtë kornizë edhe një herë të nënvizohet se normalizimi i marrëdhënieve ndërmejt Serbisë dhe Kosovës, do të mbetet kusht për Serbinë gjatë tërë procesit të negociatave.

Takimi i 13 dhjetorit është i dyti që zhvillohet pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë të organizuara nga institucionet kosovare, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë edhe komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.

Lexoni edhe këtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG