Ndërlidhjet

Gjykata në Mitrovicë për katër apo shtatë komuna?


Gjykata Themelore në veri të Mitrovicës duhet të përfshijë komunat në veri dhe në jug të lumit Ibër, thonë njohësit e çështjeve kushtetuese e juridike.

Sipas tyre, çdo shmangie nga ky parim dhe krijimi i një gjykate vetëm për komunat veriore, duke marrë parasysh vetëm parimin etnik, do të nënkuptonte zgjidhje që do të binte ndesh me sistemin unik të drejtësisë në Kosovë.

Funksionimi i gjykatave në veri është një nga temat boshte të dialogut që po zhvillojnë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri e Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, thotë se pala nga Kosova në dialog nuk duhet të lëvizë nga pozicioni që Gjykata Themelore në Mitrovicë të përfshijë edhe komunat në jug.

Krijimi i një sistemi të ndarë vetëm për veriun do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, rikujton profesori Salihu.

“Gjykatat nuk mund të themelohen mbi baza etnike, por gjeografike, siç janë themeluar gjykatat themelore në qendrat tjera të Kosovës, si Prishtina, Peja, Prizreni, Ferizaj, Gjilani, në baza rajonale. Edhe Mitrovica është një rajon dhe në këtë aspekt duhet themeluar, përndryshe do të ishte shumë e dëmshme”, thotë profesori Salihu.

Ndërkohë, profesori Riza Smaka, ekspert i çështjeve kushtetuese juridike, flet për pasojat që do të kishte ndarja e sistemit unik të gjyqësorit. Sipas tij, të dyja propozimet që po diskutohen në Bruksel, mund të cenojnë sistemin unik të drejtësisë.

Në vend se të kërkohet një zgjidhje që pretendon karakterin dhe parimin etnik, palët duhet të gjejnë zgjidhje ligjore, thotë profesori Smaka.

Ai rikujton se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës i trajtojnë të gjithë qytetarët të barabartë dhe nuk bëjnë ndasi mbi baza etnike.

“Republika e Kosovës është shtet demokratik, civil i qytetarëve dhe jo i etniteteve. Parimet juridike janë të pandryshueshme, janë të përbashkëta dhe i referohen secilit qytetar dhe nuk u referohet ta zëmë si serb dhe të tjerëve që nuk janë serb. Cilado prej këtyre zgjidhjeve (mbi baza etnike) do të ishte joparimore, jo e drejtë, e papranueshme dhe jo e qëndrueshme. Zgjidhje të tilla nuk ekzistojnë në asnjë shtet të Bashkimit Evropian”, vlerëson Smaka.

Para takimit të së hënës në Bruksel, ndërmjet Thaçit e Daçiqit, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, pati deklaruar se pala nga Prishtina nuk do të pranojë propozimin serb që Gjykata Themelore në veri të përfshijë vetëm katër komunat me shumicë serbe, ku bëjnë pjesë Mitrovica veriore, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi.

Ai kishte thënë se pala nga Kosova do të insistojë që kjo gjykatë të përfshijë edhe komunat Mitrovicë e jugut, Vushtrri dhe Skënderaj. Me këtë zgjidhje, Prishtina provon të shmangë zgjidhjen etnike, duke ofruar një zgjidhje gjeografike të shtrirjes së gjykatës, siç është vepruar edhe në rajonet tjera.
XS
SM
MD
LG