Ndërlidhjet

Reformë sipërfaqësore


Ilustrim
Ilustrim
Çështja e reformave zgjedhore pritet të vazhdohet nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës.

Pas mungesës së konsensusit të domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese për vendet e rezervuara për komunitete në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar spektrin politik të Kosovës që t’i bëjë reformat e nevojshme zgjedhore, të cilat garantojnë proces transparent dhe demokratik.

Thaçi ka bërë thirrje që reformat të bëhen në afatin e parë të mundshëm, në pjesën e parë të muajit shkurt.

Nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se komisioni të cilit i takon, është kompetent që në një afat sa më të shpejtë të bëjë reformën e nevojshme.

“Ky besim imi për ta kryer punën shpejt, bazohet edhe në faktin se komisioni për reformën zgjedhore 90 për qind të punës e ka përfunduar. Do të thotë kanë mbetur disa çështje fare të vogla teknike, për të cilat kërkohet dakordim. Çështjet, të cilat i ka prezantuar kryeministri, nuk janë çështje komplekse, prandaj edhe besoj se mund të arrihet konsensusi shpejt brenda subjekteve politike”, thotë Selimi.

Ai shton se muaji shkurt është optimal për ta përfunduar reformën, e cila, sipas Selimit, nuk është reformë esenciale apo radikale.

Reformat, të cilat pritet të bëhen në Ligjin për zgjedhjet sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, përfshijnë: përcaktimin e kohëzgjatjes së fushatës elektorale, përcaktimin e numrit të kandidatëve në listat zgjedhore, përcaktimin e pragut zgjedhor, përcaktimin e së drejtës për votim me kusht dhe çështje të tjera, ka shkruar në Facebook, kryeministri Thaçi.

Kurse, në subjektin politik Vetëvendosje thonë se nuk janë të informuar zyrtarisht se çështja e reformës zgjedhore do të kalojë në Komisionin për Legjislacion.

Albulena Haxhiu, anëtare e Komisionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse për dy vjet e nëntë muaj nuk ka pasur vullnet politik për reformë, as tash nuk do të ketë vullnet politik për një gjë të tillë.

“Ne kemi kërkuar që fokusi të vendoset tek administrimi i zgjedhjeve, e jo te sistemi zgjedhor, e as te vendet e rezervuara që është vendosur fokusi tash së fundi, sepse kur përmendin fjalën reformë, kishin mendjen vetëm te vazhdimi i vendeve të rezervuara për serbët. Kështu që, nëse nuk ka pasur vullnet deri më tani, nuk do të ketë asnjë qasje serioze as tash”, deklaron Haxhiu.

Për më tepër, deputetja Haxhiu përmend se nuk mund të pritet një qasje serioze në ndryshimin e Ligjin për zgjedhjet, derisa, sipas saj, “vetë ato subjekte politike krijuan komisionin për reformë pas një ngërçi politik për interesat e veta partiake dhe jo për interesin e qytetarit”.

“Nuk presim asgjë edhe tash nga Komisioni për legjislacion. Ne, jemi për zgjedhje të parakohshme me apo pa reformë zgjedhore, pasi që çdo ditë e Qeverisë Thaçi në pushtet, është ditë e humbur për Kosovën dhe qytetarët”,
shprehet Haxhiu.

Nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, tregon se lidhur me synimet, të cilat mëtohen se do të ndodhin, ka konsensus te partitë kryesore.

“Rrallë ndodh që të gjitha subjektet të jenë të kënaqura. Subjektet më të mëdha politike, kryesisht janë pajtuar me këtë vëllim të reformës, duke marrë parasysh edhe proceset e tjera që janë zhvilluar ndërkohë dhe fakti se afati i zgjedhjeve, edhe ai i rregullt, është në fund të këtij viti. Prandaj, del se për ndryshime të tjera të mëdha, nuk ka kohë”, thekson Selimi.

Vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë e kanë kundërshtuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se LDK-ja nuk do të bllokojë procesin e reformave, por nuk do të miratojë as vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat.

Një nga qëllimet e reformave zgjedhore është që nga një zonë, të ketë më shumë zona. Përmbyllja e reformave zgjedhore, paraqet një nga kriteret që Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës në kuadër të Studimit të fizibilitetit për negociatat e Stabilizim-Asociimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG