Ndërlidhjet

Reformë pa prekur Kushtetutën


Ilustrim
Ilustrim
Reforma zgjedhore nuk mund të përmbyllet pa një vullnet politik të liderëve, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Kjo reformë, ka implikime jo vetëm ligjore, por edhe kushtetuese, kështu që për harmonizimin e saj e më pas miratimin, do të jetë e nevojshme të arrihet edhe një mbështetje gjithëpërfshirëse politike.

Fillimisht, ka thënë kryekuvendari Jakup Krasniqi, partitë politike dhe liderët e tyre duhet ta bëjnë të qartë se çfarë ndryshimesh po synojnë, e më pas të shihet se si të procedohet me marrjen e vendimit në Kuvend.

“Konsideroj që duhet të dihet paraprakisht se cilat pika duhet të ndryshohen në reformën zgjedhore dhe pastaj sa ato kanë ndikime dhe sa e prekin Kushtetutën. Ta zëmë, nëse partitë politike duan ta bëjnë reformën për t’i mbyllur listat zgjedhore, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta, sepse ajo i parasheh listat e hapura. Për çështjet e tjera, konsideroj që Kushtetuta mund të mos preket dhe të merren vendime politike për ndryshim të ligjit”, është shprehur Krasniqi.

Një problem më i madh i kësaj reforme paraqitet me vendet e rezervuara apo të garantuara për komunitetet pakicë.

Në bazë të Kushtetutës, vendet e rezervuara pushojnë nga mandati i ardhshëm, me çka komunitetet mund të humbin të paktën pesë vende në Kuvend. Pas zgjedhjeve të ardhshme fillon mandati i 20 vendeve të garantuara, të cilat do të ndaheshin 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera.

Përfaqësuesit e pakicave kanë kërkuar që të vazhdohet me ulëset e rezervuara në Kuvend edhe për një mandat tjetër. Kërkesa e tyre ka hasur në një mirëkuptim edhe te faktori ndërkombëtar, si dhe nuk është kundërshtuar deri tani nga kryeministri Hashim Thaçi.

Por, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se çështja e ulëseve të rezervuara ka përfunduar dhe se, sipas tij, nuk mund të preket Kushtetuta vetëm për një mandat.

“Pasi që është në pyetje një mandat, nuk ka asnjë arsye që të ndryshohet Kushtetuta dhe kjo çështje të futet si pjesë e Kushtetutës. Komunitetet pakicë në Kosovë të mos i shohin të drejtat e tyre nga një numër më i vogël apo më i madh i tyre në Kuvend, por t’i shohin si realizohen të drejtat e tyre sikurse edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi dy subjekte opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Pa votat e këtyre dy partive politike, në legjislaturën aktuale të Kosovës është e pamundur që të bëhen ndryshime kushtetuese, pasi që nuk do të arrihej kuota prej dy të tretave të votave në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se LDK-ja nuk do të bllokojë procesin e reformave, por nuk do të miratojë as vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat.

Ai ka kundërshtuar edhe formën e propozuar nga disa figura politike që liderët, pa ndryshuar Kushtetutën, të marrin një vendim politik që vendet e rezervuara të vazhdohen edhe për një mandat tjetër.

“Nuk mund të bëhet asnjë vendim politik për t’u vazhduar mandati pa u ndryshuar Kushtetuta, sepse në Kushtetutë qartë shkruan që kjo përfundon me dy mandate pas pavarësisë. Prandaj, ne, si LDK, nuk do të bëhemi pjesë e një vendimi të tillë që e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Beqiri.

LDK-ja ka propozuar që Kosova të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare gjatë muajit qershor të këtij viti. Mirëpo, ky afat është konsideruar si shumë i shpejtë marrë parasysh edhe rekomandimet e disa përfaqësuesve ndërkombëtarë që zgjedhjet do të duhej të mbaheshin të paktën gjashtë muaj pas përfundimit të reformës zgjedhore.

Andaj, reforma në këtë rast, po mban disi peng edhe procesin eventual të parakohshëm zgjedhor.

Përndryshe, Kosova ka hyrë në vitin kalendarik të zgjedhjeve, pasi që me apo pa reforma, zgjedhjet sipas mandatit kushtetues, do të duhej të mbaheshin gjatë vjeshtës së këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG