Ndërlidhjet

Reforma zgjedhore para çdo hapi tjetër


Janë të paktën pesë çështje të cilat kërkojnë konsensusin politik për rrumbullakimin e reformës zgjedhore.

Kjo reformë, po shihet si e domosdoshme tani para fillimit eventual të negociatave politike për caktimit zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për pranverën e vitit të ardhshëm që vjen si rrjedhojë e mos funksionimit të Kuvendit.

Reforma zgjedhore, si proces ka nisur për më gjatë se dy vjet. Por, ajo ka mbetur e papërfunduar, kurse është riaktualizuar tani në prag të përmbylljes së procesit të zgjedhjeve lokale.

Në harmoni me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, ishte formuar edhe një Komision parlamentar për këto reforma, i cili ishte kryesuar nga deputeti Haki Demolli.

Tani, deputeti Demolli thotë se puna mund të vazhdohet qoftë përmes zgjatjes së mandatit komisionit ad hok apo edhe transferimit të kësaj pune tek komisioni për legjislacion.

Sa i përket aktualizimit, mendoj se është mirë që është aktualizuar kjo reformë dhe do të ishte mirë që partitë politike t’i fillojnë këto reforma. Mirëpo, së pari duhet që të vihet në brazdë puna e Komisionit për arsye se ka një kohë që Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar si duhet. A do të jetë komisioni i njëjtë apo do të formohet një tjetër, kjo varet prej Kuvendit”, ka theksuar Demolli.

Në bazë të asaj që deri më tani është arritur tek reformat zgjedhore, deputeti Demolli beson se 80 deri në 90 për qind e punëve kanë përfunduar dhe se kanë mbetur pa u harmonizuar deri në fund vetëm çështjet politike të sistemit zgjedhor.

Për definimin e çështjeve ende të pa-harmonizuara ai kërkon që sërish të ketë një angazhim nga liderët e partive më të mëdha politike, siç ishte vepruar edhe në të kaluarën.

Në takimet që kanë zhvilluar liderët politik i kanë përafruar qëndrimet sa i përket zonës dhe janë pajtuar që të shkohet sërish me një zonë . Pastaj ka qenë vota preferenciale, apo numri i kandidatëve të cilët mund t’i votoj një qytetar. Sipas ligjit në fuqi mund t’i votoj pesë kandidat dhe synimet janë që të reduktohet ky numër pasi që kjo është keqpërdorur në të kaluarën dhe mund të keqpërdoret edhe në të ardhmen. Po ashtu edhe shpërndarja e ulëseve në parlament, sistemi i shpërndarjes për çka mund të arrihet një marrëveshje”, ka thënë Demolli.

Gjatë gjithë kohës së bisedimeve për reformat zgjedhore dhe konsensuseve të arritura si në Komisionin e dikurshëm parlamentar ashtu edhe në dialogun ndërmjet liderëve politik, të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës mendon se me një vullnet politik është e mundur që të përmbyllen reformat pa humbur shumë kohë menjëherë pas zgjedhjeve lokale.

“Ne jemi të vetëdijshëm që tanimë për disa çështje, liderët janë marrë vesh, siç është ajo për mos ndarjen e Kosovës në zona zgjedhore, apo edhe për mos mbylljen e listave”, ka thënë Selmanaj.

Duke u thirrur në standardet ndërkombëtare, Selmanaj rikujton se ligji zgjedhor parashihet të ndryshohet të paktën gjashtë muaj para procesit elektoral.

Andaj, ai beson se subjektet politike do të reagojnë më shpejt në këtë drejtim.

“Do të ishte e udhës që Komisionit për reformën zgjedhore t’i zgjatet mandati dhe të përmbyllet procesi i draftimit të legjislacionit elektoral në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, vitin tjetër, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta, të shkohet me ligj të ri”, ka thënë Selmanaj.

Përderisa flitet për përfundimin e reformës zgjedhore, gati se ka mbetur e sigurt që në këtë periudhë nuk do të mund të përmbyllen edhe disa ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit dhe kompetencave shtesë, pasi që nuk ka një konsensus ndërmjet subjekteve politike.

Mungesa e këtij konsensusi ka lënë të nënkuptohet se edhe pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Kuvendi do të jetë ai i cili do të zgjedhë presidentin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG