Ndërlidhjet

Gjendje e rëndë e komuniteteve RAE


Zyra e Avokatit të Popullit dhe organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE) thonë se gjendja e tanishme e këtyre komuniteteve nuk është e mirë dhe kërkon përkrahje të menjëhershme.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi tha se këto komunitete në radhe të parë përballen me kushte të vështira dhe joadekuate të jetesës dhe banimit. Sipas tij, këto komunitete janë komunitetet më të diskriminuara në Kosovë.

“Unë mendoj se janë një varg faktorësh që gjendja e tyre është kështu, pa marrë parasysh çka bëjmë ne edhe institucioni i Avokatit të Popullit. Mendoj se ende nuk e kemi prekur komunitetin si të tillë. Pa marrë parasysh planet, strategjitë, edhe ata vetë e vërejnë se për ta nuk behët mjaft”, tha Kurteshi.

Avokati i Popullit, theksoi se komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE) kanë nevojë për ndihmë konkrete për përmirësimin e gjendjes se tyre.

Në ketë rrafsh sipas tij, legjislacioni është i mirë,por duhet që të gjitha institucionet të bëjnë më shumë në ketë drejtim.

“Nuk bëjmë sa duhet, ne përpiqemi t'i motivojmë për bashkëpunim, por unë mendoj se 1, nuk varet vetëm nga një institucioni dhe 2, janë shumë faktor të tjerë që ndikojnë që edhe nëse përpiqesh të bësh edhe formalisht nuk mjafton një akt, nuk mjafton një veprim. Sigurisht duhet përpjekje shumë më e madhe edhe e vetë shoqërisë dhe vetë komunitetit. Ne këtë drejtim gjithçka ngec sa i takon këtyre komuniteteve”, u shpreh Kurteshi.

Kurse, përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Romani Baxt”, Kujtim Paçaku nga Prizreni tha për Radion Evropa e Lirë se krahas shumë problemeve të renda me të cilat përballen këto komunitete, komuniteti rom, por edhe të tjerat komunitete aktualisht janë duke u ballafaquar me çështjen e riatdhesimit të dhunshëm.

Sipas tij, ky riatdhesimi është duke u bërë në mënyrë të dhunshme dhe në kushte jo të mira.

“Ju e dini që pjesëtaret e komunitetit janë të diskriminuar në total, por kush pastaj po e vazhdon vallen, apo zgjidhjen e këtij problemit. Aty ne nuk po e shohim zgjidhjen e problemit. Ne problemin po e shohim dhe po kërkojmë zgjidhje efikase. Një zgjidhje efikase që së paku të trajtohemi si pjesëtaret e tjerë të pakicave”, tha Paçaku.

Nga ana tjetër, deputeti Danush Ademi nga Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës konsideron se ne përgjithësi institucionet e Kosovës nuk janë duke u marrë sa duhet me komunitetin të cilit i takon edhe ai vetë.

Ai, mendon se në krahasim me komunitetin serb, komunitetet tjera janë anashkaluar.

“Sa u takon institucioneve të Kosovës, nuk mund të them se jemi të kënaqur 100 % ndaj respektimit të të drejtave sipas Kushtetutës dhe pakos së Ahtisarit. Ne po e shohim qe komuniteti serb është më i privilegjuar në shumë sfera se sa që është komuniteti ashkali, duke filluar nga qeveria e ne institucionet të tjera”, tha Ademi.

Strategjia për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas 2009-2015 në mënyrë të hollësishme elaboron shqetësimet dhe problemet më të cilat ballafaqohen këto tri komunitete.

Ky plan propozon dhe thekson masat konkrete që duhet të ndërmerren si në nivel qendror po ashtu edhe atë lokal.

Mirëpo, në asnjërin nivel nuk është arritur që të gjendet kohë për të filluar realizimin e kësaj strategjie, thuhet në raportin e fundit vjetor të Avokatit të Popullit.

Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE) njihen zyrtarisht si komunitete të veçanta në Kosovë dhe sipas Kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Por, përfaqësues të komuniteteve, theksojnë se këto dokumente kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG