Shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë ndodh në çdo fushë, por, për mbrojtjen e tyre duhet angazhim i përgjithshëm i shoqërisë, organizatave dhe institucioneve të vendit, thonë të rinjtë kosovarë.
Ata në anketën e përjavshme VOX, thonë se mohimi më i madh i të drejtave të njeriut i bëhet personave me nevoja të veçanta, por edhe komuniteteve pakicë.
Jetona Tafa nga Gjakova, i cili studion në Fakultetin e Pedagogjisë në drejtimin kimi-biologji, konsideron se në Kosovë personave me nevoja të veçanta më së shumti u mohohen të drejtat e tyre.
“Ata nuk kanë perspektivë, nuk merret pothuajse askush me ta, institucionet nuk lodhen shumë. Kjo me sa e shoh unë është kategori më e dëmtuar”, tha Tafa.
Kurse, Endrit Bardhi, i cili studion në Fakultetin e Arteve në drjetimimin art konceptual, thotë se komuniteti rom është më i prekuri kur bëhet fjalë për mosrespektim të të drejtave.
“Më shumë mendoj se komuniteti rom është më i demtuari në këtë drejtim se askush nuk merret me ta”, tha Bardhi.
Edhe Jeton Murmullaku nga Presheva, student në Fakultetin Ekonomik, mendon se kategoritë e personave me nevoja të veçanta nuk respektohen sa duhet në Kosovë.
“Shkeljet më të mëdha mendoj se ndodhin të personate me nevoja të veçanta. Ata nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre. Për shembull nuk i kanë barrierat, nuk i kanë rrugët e veçanta dhe kanë shumë pengesa gjatë lëvizjes së tyre”, tha Murmullaku.
Edhe Meli Ajeti shprehet ngjashëm.
“Në krahasim me kategoritë e tjera të shoqërisë, shkeljet më të mëdha ndodhin te kategoria e personave me afësi të kufizuara. As nuk i kanë rrugët ku të lëvizin me karrocë as asgjë”, theksoi Ajeti.
Kurse Astrit Shala, nxënës i gjimnazit “Xhevdet Doda”, mendon se komuniteti RAE është më i diskriminuari, por ai thotë se edhe në shkolla nxënësve u shkelen të drejtat e tyre.
“Mendoj që Romëve, Ashkalive e të tjerve u bëhen shkelje të të drejtave të tyre. Edhe në shkolla ka pak problem në këtë drejtim”, tha Shala.
Një qytetare nga Prishtina, Merita, rreth të njëzetave, e cila i takon fesë islame dhe që në kokë mban shami, thotë se vajzave si ajo u mohohet e drejta në shkollim dhe punësim.
“Së pari mendoj që ne i kemi të drejtat e shkelura si komunitet mysliman, për shkak të mbulesës nuk lejohet shkollimi, punësimi”, u shpreh Merita.
Lind Gashi, student në Fakulteti Ekonomik konsideron se në Kosovë nuk ka shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.
“Nuk mendoj se ka shkelje të mëdha te ne. Për mendimin tim nuk mendoj se se ka cenim të të drejtave të grave, burrave jo se jo”.
Një i ri tjetër nga Prishtina, Armend Berisha, tha se komuniteti rom është më së keqi kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut.
“Mendoj kështu se ndoshta vetë ata janë më të distancuar, janë më të tërhequr. Po ashtu në aspektin ekonomik nuk qëndrojnë mirë, kjo edhe mund te jetë një nga arsyet”, tha Berisha.
Nga zyra e Avokatit të Popullit është thënë se “marrë parasysh situatën e përgjithshme shoqërore ekonomike e politike mund themi se komunitet rom, ashkali dhe egjiptas, janë komunitetet më të diskriminuara, me pozitën më të keqe”.
Ata thonë se nuk mund të thuhet se ka ndjekje të organizuar shtetërore kundër tyre, por situata e përgjithshme bën që ata të jenë në pozitën më të pafavorshme.
Avokati i popullit Sami Kurteshi në deklarimet e tij të fundit ka thënë se “gjendjen më të rëndë se komuniteti ashkali dhe egjiptas ndoshta e kanë shtresat e të papunëve, të varfrit, dhe pensionistët që edhe s’kanë asnjë shpresë për punësim.