Ndërlidhjet

Arsimi, “fajtor” për papunësinë e të rinjve


Të rinjtë, që përfundojnë shkollimin në Kosovë, nuk janë të përgatitur mirë për tregun e punës, thonë ekspertët.
Të rinjtë, që përfundojnë shkollimin në Kosovë, nuk janë të përgatitur mirë për tregun e punës, thonë ekspertët.
Papunësia te të rinjtë, si në raportet vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare së fundi, është konsideruar një problem mjaft i theksuar në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15- 24 vjeç.

Agjencia e Statistikave të Kosovës është autoritet shtetëror, i cili merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare.

Sipas këtij institucioni, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, gjatë vitit 2012 nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.

Kjo shkallë e lartë e papunësisë te të rinjtë konsiderohet si pasojë e nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik që ka Kosova, por një pjesë të përgjegjësisë, sipas ekspertëve të arsimit në Prishtinë, e ka edhe sistemi i arsimit, i cili siç thonë ata, nuk po ofron kuadro mirë të përgatitur.

Dukagjin Popovci, njohës i çështjeve të arsimit në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se të rinjtë, të cilët përfundojnë shkollimin në Kosovë, nuk janë të përgatitur mirë për tregun e punës dhe kjo, sipas tij, është njëra nga arsyet e vështirësive që të rinjtë hasin në rastin e punësimit.

“Në Kosovë, së pari numri i vendeve të punës që ofrohen është i vogël, por në anën tjetër, ekziston kërkesa për disa profile të caktuara, të cilat nuk mund të përmbushen me kuadër cilësor nga Kosova. Nga ana tjetër, punëdhënësit ankohen se të diplomuarit si në arsimin e lartë apo profesional nuk kanë shkathtësi të duhura për vendet e punës”, vlerëson Popovci.

Në vitin 2012, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë, krahasuar me të rriturit dhe ky dallim ishte më i shprehur te meshkujt.

Liridon Simnica, i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se punësimi varet edhe nga shkathtësia që posedon personi.

“Një ekonomist i ka në zotim 20 apo më shumë biznese, derisa një ekonomist tjetër i diplomuar nuk e ka asnjë firmë në zotim”, thotë Liridoni.

Ndërkaq, Njazi Kastrati, student, thotë se shumë të rinj studiojnë, por nuk janë të përkushtuar në studimet e tyre:

“Shumë persona përfundojnë fakultetin sa për të marra një diplomë dhe normalisht që kur ta merr një punë, ai nuk është i aftë për ta kryer punën”.

Me rastin e hartimit të plan-programit, si në arsimin e mesëm, ashtu dhe atë të lartë, sipas Dukagjin Popovcit, duhet të kihet parasysh se në Kosovë oferta për vende të punës duhet të jetë vazhdimisht e kufizuar. Pra, ata të rinj, shton ai, jo që duhet të kenë shkathtësi të punësohen në Kosovë, por edhe jashtë vendit.

“Për t’u arritur një gjë e tillë, duhet të përmirësohet cilësia e arsimit si në nivelin e shkollimit të mesëm, ashtu edhe në atë të lartë, e kjo mund të bëhet me shumë vështirësi në arsimin e lartë, pasi që ka një numër shumë të madh të studentëve dhe numër kaq të madh të universiteteve, të cilave u mungon kuadri i kualifikuar. Të gjithë këta janë faktorë, të cilët ndikojnë që një gjë e tillë të mos mund të bëhet brenda një afati të shkurtër”, thekson Popovci.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, e sheh mjaft shqetësuese papunësinë te të rinjtë.

Kryetari i këtij mekanizmi, Haxhi Arifaj, thotë se para dy vjetësh kur është diskutuar në Qeverinë e Kosovës për pagën minimale, është bërë një kategorizim, i cili kishte pasur për qëllim ngritjen e punësimit te të rinjtë, por që, sipas tij, edhe ky kategorizim i pagave nuk kishte ndikuar në ulje të papunësisë te të rinjtë.

“Papunësia te të rinjtë, çdo vit po vjen duke u rritur. Kjo duhet të jetë një brengë e madhe e tërë shoqërisë që të punojnë më shumë në këtë drejtim dhe të hapin vende të reja të punës”, thotë Arifaj.

Paga minimale e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011 është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
XS
SM
MD
LG